Nuk dihet nëse Irani do të dërgojë jashtë vendit kutitë e zeza të avionit të rrëzuar

18:08 | 19 Janar 2020

Teheran. 8 janar, 2020. Foto: AFP

Trupat e pajetë të 11 ukrainasve të vrarë, pasi ushtria iraniane aksidentalisht rrëzoi një avion pasagjerësh në Teheran, kanë arritur në Kiev, teksa janë rritur pikëpyetjet nëse zyrtarët e Iranit do të bashkëpunojnë në hetimet për këtë ngjarje.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, kryeministri Oleksiy Honcharuk dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë morën pjesë në ceremoninë solemne në kryeqytetin ukrainas.

Më 8 janar, avioni ukrainas, që ishte nisur nga Teherani u rrëzua nga ushtria iraniane, duke lënë të vdekur 167 personat që ishin në bord.

Zyrtarët iranianë janë duke udhëhequr hetimet për këtë ngjarje, por ende mbetet e paqartë nëse Teherani do të dorëzojë informacionet e marra nga kutitë e zeza të aeroplanit.

Hassan Rezaifer, shef i ekipit që po zhvillon hetimet në Iran, u citua nga mediat iraniane të ketë thënë se “të dhënat nga kutitë e zeza të avionit janë në duart e Iranit dhe ne nuk kemi plan që t’ia japin askujt”, ka raportuar agjencia AP, transmeton REL.

Puna për të kontrolluar të gjitha të dhënat e avionit është duke vazhduar, është cituar të ketë thënë Rezaifer, duke shtuar se “por deri më tani, ne nuk kemi marrë vendim nëse kutitë e zeza do të dërgohen jashtë vendit”

Rezaifer është cituar nga agjencia Tasnim të ketë thënë se ekspertët nga Franca, Amerika dhe Kanadaja do të mund të punojnë në këto pajisje pasi të dërgohen në Kiev, për shkak se autoritetet iraniane nuk kanë qenë në gjendje të lexojnë të dhënat nga kutitë e zeza.

“Nëse kjo përpjekje rezulton e pasuksesshme, atëherë kutitë e zeza do të dërgohen në Francë”, ka thënë ai, sipas agjencisë Tasnim.

Ministrat e Jashtëm të Afganistanit, Britanisë, Kanadasë, Suedisë dhe Ukrainës përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar nga Irani që të japë informacione të plota lidhur me rrëzimin e këtij avioni.

Fillimisht Irani kishte mohuar se ka rrëzuar aeroplanin e pasagjerëve, por më pas Teherani pranoi se forcat e saj “pa dashje” kishin goditur avionin me raketë.

Mijëra iranianë kanë protestuar lidhur me veprimet e qeverisë, duke kërkuar që fajtorët të ndëshkohen.