Nuk bën të mallkohet

Behxhet Pacolli është marrë me Isa Mustafën, gjatë një tubimi në Podujevë. Tha se Mustafa nuk ka të drejtë ta mallkojë askënd, e pastaj shtoi se vetë ai do të jetë i mallkuar.

Lajme

29/10/2013 16:22

Behxhet Pacolli ka thënë sot në tubimin përmbyllës elektoral të AKR’së në Podujevë se llapjanët do të kenë mundësinë që ta ndryshojnë qeverisjen e cila i ka ngulfatur.

Presidenti i Alenacës Kosova e Re ka shprehur besimin e tij se më 3 nëntor do t’i dërgojnë në shtëpi  ata që kanë qeverisur keq me Komunën.

“Dëshmorët e kanë një mëritë të madhe për lirinë që sot ne e gëzojmë, dëshmorët kanë dashur që të gjithë të jenë të barabartë. Për këtë, ju duhet të dilni dhe ta votoni AKR’në më 3 nëntor, pasi që programi ynë është i qartë dhe i realizueshëm”.

“Nëse në krye të Komunës së Podujevës vjen AKR, do të këtë gjenerim të vendeve të punës, do të krijohet një fond i posaçëm për të rinjtë që janë pa punë, gjithashtu do të hapen shkolla profesionale për të marrë përvojë të punës e të cilat do t’u ndihmojnë të rinjve për të hyrë në punë”.

Pacolli, gjithashtu, ishte kritik ndaj Kryetarit aktual të Prishtinës, Isa Mustafa, i cili, para pak ditësh, në një tubim elektoral të LDK’së, në Rajonin e Gollakut, ka thënë: “Zoti ju marroftë nëse nuk e votoni LDK’në”.

“Ai do të jetë vetë i mallkuar dhe nuk ka të drejtë që ta mallkojë askënd, sepse populli ka të drejtë të votojë kë të dojë. Qytetarët janë të vlefshëm për mua”.

Kandidati i AKR’së për Kryetar të Podujevës, Ismet Ibishi, ndërkaq, ka pohuar se me AKR’në Podujeva do të frymojë ndryshe.

Ibishi shpalosi programin e detajuar, si dhe Kompleksin Industrial i cili do të ndërtohet në Podujevë.

“Kompleksi Industrial në Podujevë do të jetë vetëm fillimi i punës që do ta bëjmë pasi që të vijmë në krye të Podujevës”.

“Fshatrat do të kenë një program të detajuar, pasi që nga qeverisja aktuale janë të harruar dhe pa kurrfarë përkujdesje, do të përkujdesemi për bujqsinë pas që është prioritet për fshatrat e Llapit”.