Nuk bën të bllokohet hyrja e Rektoratit
Zëvendës Ministri i Arsimit, Nehat Mustafa, thotë se çdo kush ka të drejtë të protestojë por jo t`i pengojë të tjerët që ata të veprojnë. Sipas tij, rektorati i cili përfaqëson 65 mijë studentë nuk mund të mbahet i mbyllur.
Lajme
Protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilat rezultuan me disa të arrestuar nga Polica e Kosovës, sipas Zëvendës Ministrit të Arsimit Nehat Mustafa, nuk ka qenë dashur të ndodhin në këtë formë.
Ai ka thënë se çdo kush ka të drejtë të protestojë, por jo të bllokojë dyert e rektoratit.
“Qëndrimi i Ministrisë së Arsimit sa i përket gjendjes së krijuar rreth Rektoratit është shumë i qartë. Çdo kush ka të drejtë të protestojë por natyrisht edhe protesta ka rregullat e saja. Protesta duhet të paralajmërohet dhe askush me protestën e tij nuk ka të drejtë t`i pengojë të tjerët që ata të veprojnë”.
“Në këtë drejtim rektorati, i cili përfaqëson me 65 mijë student nuk mund të mbahet i mbyllur dhe i penguar dhe mos t`iu ofrohen shërbimet e këtyre 65 mijë studentëve nga një grup i vogël i studentëve”.
Policia e Kosovës ka arrestuar rreth disa studentë të Universitetit të Prishtinës, pasi këta të fundit kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit, në shenjë pakënaqësie me zhvillimet e fundit që po ndodhin në këtë institucion.