Nuk bëhet fjalë për rizotim, Maqedonci: Në letrën drejtuar KFOR-it kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së

Gjatë ditës së djeshme u raportua se Qeveria e Kosovës ia kishte dërguar KFOR-it një letër rizotimi, se nuk do ta dërgojnë FSK-në në veri pa marrë një autorizim nga misioni i NATO-s në Kosovë. Lidhur me letrën që iu dërgua komandantit të KFOR-it, Enrico Barduanit, sot është deklaruar ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci. Maqedonci…

Lajme

09/01/2025 11:44

Gjatë ditës së djeshme u raportua se Qeveria e Kosovës ia kishte dërguar KFOR-it një letër rizotimi, se nuk do ta dërgojnë FSK-në në veri pa marrë një autorizim nga misioni i NATO-s në Kosovë.

Lidhur me letrën që iu dërgua komandantit të KFOR-it, Enrico Barduanit, sot është deklaruar ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Maqedonci shpjegoi se nuk bëhet fjalë për rizotim.

“Letra zotuese e vitit 2013 është dërguar nga ish-kryeministri Thaçi për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Pra çështjet përmbajtësore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin tim dhe të Komandantit të KFOR-it është që të sigurojmë njëri tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar”, tha Maqedonci.

“Pra, nuk bëhet fjalë për ri-zotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s”, theksoi ai.

Numri një i Ministrisë së Mbrojtjes tregoi edhe për qëllimin e kësaj letre.

“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës”, tha ai.

“Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar që institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR”, theksoi Maqedonci për Klankosova.tv.

“Ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”, tha ai.