Nuk bashkohemi me bllokun hakmarrës!

Zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila thotë se partia e saj, nëse e kalon pragun zgjedhor, nuk do të preferonte që t’i bashkohej koalicionit opozitar sepse sipas saj, bashkimi i tyre është bërë “në formë hakmarrje”.

Lajme

19/06/2014 08:59

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Kusari-lila thotë se një marrëveshje e tillë, e arritur vetëm një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor, tregon një nguti “për të marrë pushtetin”.

“Në këtë formën e bllokut opozitar, siç është krijuar tani, mendoj se është pamundësuar një gjë e tillë për shkak të qasjes dhe formës se si e kanë bërë. Ne si AKR nuk qeverisim në parim të hidhërimit ose të revanshit. Pra, kjo mënyrë se si është krijuar ky bllok opozitar është më shumë formë hakmarrje dhe nuk është forma se si AKR-ja qeveris”.

“E shoh si rrjedhojë e një ngutie që erdhi prej partive opozitare. Një nguti për të qenë sa më shpejt pjesë e pushtetit nuk është sinjal i mirë dhe nuk tregon diçka pozitive për qasjen e tyre ndaj shtetit dhe procesit zgjedhor sepse ishte vetëm një ditë e gjysmë pas mbylljes së zgjedhjeve kur u arrit kjo marrëveshje”.

Duke folur për subjektin e saj politik, Kusari-Lila thotë se ata insistojnë që të rinumërohen të gjitha votat, pasi besojnë se ka pasur parregullsi gjatë numërimit. Por, se a do ta kalojnë pragun zgjedhor, ajo thotë se kjo gjë do të kuptohet brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Jemi të bindur se ka pasur një defekt në proces në kuptimin e  votave të AKR-së, gjë që nuk mund të mos i fajësojmë komisionarët tanë, për shkak se është e tepërt të akuzojmë dikë tjetër, pasi shihet se ka pasur neglizhencë ose në një mënyrë ose tjetër humbje të vëmendjes sepse ka ndodhur që votat kanë qenë në kuti, por nuk kanë qenë të shënuara. Nuk e dimë se sa është numri i këtyre votave dhe për këtë arsye presim të numërohen të gjitha në mënyrë që të dihet saktë sa ka mundur të jetë devijimi.”

“Natyrisht se kemi dëshirë ta kalojmë këtë sfidë dhe të jemi pjesë e Kuvendit. Na ndajnë pak orë midis faktit nëse do të jemi ose jo pjesë e Kuvendit dhe dëshirës për të qenë”, ka thënë Kusari-Lila.