NPB-së i bllokohen llogaritë për mbi 32.5 milionë euro, ndërmarrja e kundërshton vendimin dhe i drejtohet Supremes
Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) në Prishtinë ka konfirmuar se llogaritë e saj bankare janë bllokuar që nga 12 gushti 2026, si pjesë e një procedure përmbarimore që lidhet me kontestin për projektin në Lakrishtë. Bllokimi i llogarive vjen pas deklarimeve të drejtuesit të grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, i cili…
Lajme
Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) në Prishtinë ka konfirmuar se llogaritë e saj bankare janë bllokuar që nga 12 gushti 2026, si pjesë e një procedure përmbarimore që lidhet me kontestin për projektin në Lakrishtë.
Bllokimi i llogarive vjen pas deklarimeve të drejtuesit të grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, i cili kishte bërë të ditur se NPB-së i janë bllokuar llogaritë pas një vendimi për dëmshpërblim ndaj investitorëve privatë.
Në një përgjigje për Telegrafin, NPB ka konfirmuar se procedura përmbarimore lidhet me një shumë prej mbi 32.5 milionë eurosh, ndërsa ka theksuar se këtë detyrim e kundërshton përmes mjeteve juridike.
“Llogaritë bankare të NPB SH.A. janë të bllokuara që nga data 12.08.2026, në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me kontestin për projektin në Lakrishtë, i cili buron nga një kontratë e lidhur më 17.05.2021. Procedura lidhet me një shumë mbi 32.5 milionë euro, të cilën NPB e kundërshton përmes mjeteve juridike në dispozicion”, kanë deklaruar nga NPB.
Sipas ndërmarrjes, ekziston një aktgjykim që ka pasoja financiare prej mbi 32.5 milionë eurosh, ndërsa pjesa më e madhe e kësaj shume lidhet me atë që në procedurë është cilësuar si “fitim i humbur”.
“Ekziston një aktgjykim me pasoja financiare mbi 32.5 milionë euro, pjesa dërrmuese e të cilit lidhet me të ashtuquajturin ‘fitim të humbur’. NPB e ka kundërshtuar këtë vendimmarrje në të gjitha instancat dhe, më 24 qershor 2026, ka ushtruar revizion pranë Gjykatës Supreme të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e NPB-së.
Nga ndërmarrja kanë shprehur bindjen se Gjykata Supreme do t’i shqyrtojë argumentet e tyre juridike dhe faktike.
“NPB mbetet e bindur në forcën e argumenteve të saj juridike dhe faktike dhe pret që shqyrtimi i plotë i çështjes nga Gjykata Supreme të rezultojë në një vendim në favor të Ndërmarrjes”, ka deklaruar NPB.
NPB sqaron edhe përfaqësimin juridik
Ndërmarrja ka dhënë sqarime edhe lidhur me përfaqësimin e saj juridik në këtë proces, pasi Sveçla kishte ngritur pretendime për mënyrën e përfaqësimit.
Sipas NPB-së, ndërmarrja është përfaqësuar nga Zyra Ligjore e saj, ndërsa për këtë rast janë angazhuar edhe dy avokatë të jashtëm.
“NPB është përfaqësuar juridikisht nga Zyra Ligjore e NPB-së, si dhe nga avokatët e jashtëm z. Valdrin Behrami dhe z. Faton Fetahu, të angazhuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen juridike të interesave të Ndërmarrjes”, thuhet në përgjigje.
NPB: Bllokimi po menaxhohet me prioritet
Sa i përket ndikimit që bllokimi i llogarive mund të ketë në funksionimin e ndërmarrjes, NPB ka thënë se ka ndërmarrë veprimet e nevojshme juridike dhe institucionale.
“NPB ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike dhe institucionale në dispozicion për mbrojtjen e interesit të Ndërmarrjes dhe të pasurisë publike”, ka deklaruar ndërmarrja.
Sipas saj, situata po menaxhohet me prioritet, me synim ruajtjen e funksionimit të rregullt të NPB-së dhe përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve.
“Situata është duke u menaxhuar me prioritet, me fokus në ruajtjen e funksionimit të rregullt të NPB-së, përmbushjen e obligimeve financiare dhe vazhdimësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet më tej në përgjigje.
Ndërkohë, Sveçla kishte deklaruar se rasti i lidhur me projektin në Lakrishtë mund ta çojë NPB-në drejt falimentimit, duke kritikuar menaxhmentin e ndërmarrjes dhe mënyrën se si është trajtuar kontesti.
NPB, megjithatë, ka theksuar se po e kundërshton vendimin përmes të gjitha mjeteve juridike në dispozicion dhe se tashmë ka paraqitur revizion në Gjykatën Supreme. /Lajmi.net/