“Non-paper” i ri: Gjermania dhe Franca propozojnë integrim gradual të Ballkanit Perëndimor në BE
Berlini dhe Parisi, përmes një dokumenti joformal, kanë bërë thirrje Komisionit Evropian për të hartuar propozime që mundësojnë një integrim gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian. Ideja është që këto shtete të përfitojnë më herët disa nga përfitimet e tregut të brendshëm, në përputhje me përparimin e tyre në negociata, dhe të kenë një…
Lajme
Berlini dhe Parisi, përmes një dokumenti joformal, kanë bërë thirrje Komisionit Evropian për të hartuar propozime që mundësojnë një integrim gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian. Ideja është që këto shtete të përfitojnë më herët disa nga përfitimet e tregut të brendshëm, në përputhje me përparimin e tyre në negociata, dhe të kenë një rol më të afërt me institucionet e BE-së gjatë vendimmarrjes së përditshme, për shembull si vëzhgues në disa mbledhje, pa cenuar pavarësinë e Unionit.
Dokumenti joformal nënvizon se qëllimi i integrimit gradual nuk zëvendëson anëtarësimin e plotë, por krijon nxitje shtesë për të përshpejtuar reformat dhe përparimin drejt pranimit të plotë në BE. “Politika e zgjerimit ka nevojë për një shtysë të re. Samitet e ardhshme me Ballkanin Perëndimor më 5 qershor dhe me Moldavinë më 22 qershor janë një mundësi që nuk duhet humbur,” thuhet në dokument, transmeton lajmi.net.
Propozimi përfshin edhe thjeshtimin e metodologjisë së negociatave, duke kombinuar disa hapa proceduralë dhe duke u fokusuar më shumë në përmbajtjen e reformave sesa në procedura. Përveç kësaj, planifikohet që dy herë në vit të zhvillohen takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian, anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të vendeve kandidate, ndërsa komitetet parlamentare të përbashkëta do të mblidhen më shpesh për të forcuar bashkëpunimin politik dhe institucional.
Një tjetër element kyç është pjesëmarrja e vendeve kandidate në rendin e ditës të Këshillit Evropian dhe Këshillit të BE-së si vëzhgues, pa të drejtë vote, si dhe mundësia për të përfituar nga tregu i përbashkët evropian përmes një modeli të zgjeruar të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA+). Ky integrim ekonomik pa anëtarësim të plotë do të kushtëzohet nga zbatimi i legjislacionit të BE-së në pesë grupet e para të kapitujve të negociatave dhe mbyllja e përkohshme e tyre si dëshmi e reformave të realizuara.
Qasja e re synon të krijojë një rrugë më të shpejtë dhe më efikase drejt anëtarësimit, duke kombinuar nxitje konkrete, integrim gradual dhe monitorim të reformave, me qëllim që procesi i zgjerimit të jetë më i thellë dhe më i suksesshëm për të gjitha palët./lajmi.net/