Njohje të reja, forcim të subjektivitetit ndërkombëtar: Çka po premtojnë partitë për politikë të jashtme?
Gjatë fushatës zgjedhore partitë politike janë zotuar për shumë gjera. Njëra nga fushat ku këto parti kanë dhënë premtime të mëdha është edhe politika e jashtme. Në programet e publikuara zgjedhore, LVV, PDK, LDK dhe AAK kanë renditur prioritet e tyre në këtë fushë. Meqenëse në Qeverinë Kurti Kosova nuk ka marrë asnjë njohje, partitë…
Lajme
Gjatë fushatës zgjedhore partitë politike janë zotuar për shumë gjera. Njëra nga fushat ku këto parti kanë dhënë premtime të mëdha është edhe politika e jashtme.
Në programet e publikuara zgjedhore, LVV, PDK, LDK dhe AAK kanë renditur prioritet e tyre në këtë fushë.
Meqenëse në Qeverinë Kurti Kosova nuk ka marrë asnjë njohje, partitë opozitar janë zotuar se do të rikthejnë njohjet për Republikën e Kosovës.
Te prioritet e tyre në këtë fushë ato kanë renditur edhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Kurse, parti në pushtet është zotuar se do të fuqizojë pasaportën e Kosovës dhe raportet me partnerët e Kosovës.
“Do të forcojmë dhe më tej marrëdhëniet strategjike të vendit me partnerët. Fuqizimi i mëtutjeshme i pasaportës së Republikës së Kosovës në të gjitha kontinentet është një nga synimet tona krahas arritjes së marrëveshjes dypaleshe për lirinë dhe regjimin e vizave. Ky zhvillim do të krijojë mundësi të reja ekonomike, tregtare, kulturore dhe arsimore për qytetarët e vendit”, thuhet në programin e VV-së, duke vazhduar me prioritet tjera.
“Marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian do të jetë një nga angazhimet kyçe tonat. Dyfishimi i rrjetit të atasheve të mbrojtës dhe shtimi i shteteve partnere me të cilat nënshkruajmë marrëveshje SOFA janë hapat që do t`i ndërmarrim në vijim drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe me shtetet mos njohëse, me theks të veçantë me shtetet mos njohëse të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës”, thuhet në programin e VV-së, Nacionale.
Prioritet e PDK-së
Partia Demokratike e Kosovës në programin e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit ka renditur disa prioritet.
Ndër prioritet kryesore të kësaj partie është rikthimi i njohjeve.
“Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet për ta forcuar subjektivitetin ndërkombëtar, duke synuar ta rrisë numrin e njohjeve të reja nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Përfundimi i këtij procesi është vendimtar për konsolidimin e sovranitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për forcimin e pozitës së saj në organizatat globale si Kombet e Bashkuara. Një diplomaci më proaktive në raport me vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë, përfshirë shtetet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, është thelbësore. Qëllimi strategjik është të arrihet që 2/3 e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara ta njohin Kosovën në mandatin katërvjeçar”, thuhet në programin e PDK-së.
Prioritet tjetër në këtë fushë i PDK-së është angazhim për marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësim në OKB.
“Zgjidhja përfundimtare e konfliktit me Serbinë është një prioritet strategjik. Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë është vendimtare për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe për ta hapur rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. PDK-ja angazhohet për një dialog efektiv dhe të sinqertë që do të rezultojë në njohje reciproke dhe integrim të plotë ndërkombëtar”, thuhet në programin e PDK-së.
Gjithashtu, PDK-ja është zotuar për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës dhe thellim të marrëdhënieve strategjike me ShBA-të.
Synimet e LDK-së
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka premtuar shtim të njohjeve dhe forcim të subjektivitete ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës këto dy gjera janë qëllimet madhore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.
“Për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës angazhimet për njohje të reja, thellimi i bashkëpunimit bilateral me vendet që tanimë e kanë njohur Kosovën dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare do të jenë në qendër të diplomacisë së vlerave të Kosovës. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet pesë vendeve të BE-së (Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia, Spanja) që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Më tej, do të zbatohen aktivitete intensive në vende njohëse potenciale për të avancuar rrethanat për të siguruar njohje të reja në secilin kontinent. Në këtë drejtim, politika e jashtme e Republikës së Kosovës do të përfshijë krijimin dhe zbatimin e një vargu të gjerë të formave bashkëkohore të diplomacisë. Një nga objektivat më të rëndësishme për politikën e jashtme do të jetë përballja me sukses ndaj fushatave destruktive që bën Serbia kundër shtetësisë së Kosovës. Përmes politikës së jashtme, Republika e Kosovës do të tregojë dhe mbrojë të vërtetën historike për Kosovën, dhe me tërë fuqinë diplomatike, do të portretiozojë Kosovën dhe sistemin e saj demokratik si storie e suksesit”, thuhet në programin e LDK-së.
Më pas, në programin e LDK-së theksohet rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Në këtë kontekst, Kosova do të zbatojë një diplomaci multilaterale të integruar, ku ndërlidhen interesat nacionale, sektorale, politike, të sigurisë, zhvillimore, financiare etj., dhe ku adresohen synimet e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Prandaj anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është objektiv strategjik i Kosovës. Arsyeja për këtë është e dyfishtë: në njërën anë ky forcon njohjen ndërkombëtare të Kosovës si shtet, ndërsa në anën tjetër Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në arenën ndërkombëtare dhe krijon sinergji në sistemin multilateral”, thuhet në programin e LDK-së.
Në këtë fushë, LDK-ja është zotuar edhe për themelimin e 5 qendrave ndërqeveritare kulturore.
Plani i AAK-së
Ndryshe nga dy partitë tjera opozitare, AAK-ja në fushën e politikes se jashtme dhe të sigurisë është fokusuar në anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Në programin e saj “Kosova Fituse”, AAK-ja ka treguar hapat që duhet të ndjekur për arritjen e këtij synimi.
“Integrimi direkt i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE) është një objektiv kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Është paradoksale dhe anakronike të mendohet që ky proces mundtaketëritmin dhe rrjedhën e natyrshme dhe progresive, për aq kohë sa nuk manifestohet me bashkëpunim dhe partneritet konsistent, meprezencën e fuqishme të këtyre dy organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Në tri vitet e fundit, lidershipi institucional i vendit është kritikuar për një mori çështjesh nga këto organizata dhe vende anëtare të tyre. Kosovën kjo nuk e shpie askund”, thuhet në programim e AAK-së.