Njohja nga Sudani – një sukses diplomatik që u mirëprit nga të gjithë

Sudani, shtet në verilindje të Afrikës i është shtuar listës së shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo u bë e ditur të shtunën nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike. “Ky është fillimi i…

Lajme

13/04/2025 08:46

Sudani, shtet në verilindje të Afrikës i është shtuar listës së shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kjo u bë e ditur të shtunën nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.

“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.

E një vendim i tillë I shtetit afrikan është mirëpritur nga liderët e vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re, e popullit tonë një miqësi më shumë.
urti ka thënë se “vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona shpresojmë të zgjerohet dhe fuqizohet më tej”.

“Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme”, ka shkruar Kurti.

Edhe ministrja në detyrë e MPJD-së, Donika Gërvalla e mirëpriti vendimin e Sudanit për ta njohur Kosovën. Në një postim në Facebook, ajo u shpreh se mirënjohëse ndaj Sudanit dhe presidentes Vjosa Osmani për punën e saj.

“Kjo njohje vjen vetëm pak javë pas lajmit të mirë nga Kenia, duke forcuar më tej praninë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në Afrikë dhe përtej saj. Jemi thellësisht mirënjohës Sudanit për këtë vendim, Presidentes Osmani për punën e saj, si dhe të gjithë aleatëve tanë që kontribuuan në këtë sukses të përbashkët diplomatik”, tha Gërvalla.

Reagime positive pati edhe nga ana e partive opozitare në vend.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se njohja nga Sudani përbën edhe një hap drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Rritja e numrit të njohjeve është jetike për konsolidimin e pozitës së Kosovës në skenën globale, dhe ky proces bëhet më i lehtë kur punojmë së bashku me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Çitaku.

Edhe ish-ministri i Jashtëm dhe ish deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pas lajmit të njohjes së Republikës së Kosovës nga Sudani, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjithashtu ka mirëpritur vendimin e shtetit të Sudanit për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

LDK përmes një komunikate thotë se ky akt i rëndësishëm është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të vazhdueshëm të shteteve paqedashëse ndaj parimeve të lirisë, paqes dhe të drejtës së popullit të Kosovës për pavarësi.

“LDK shpreh falënderimet e sinqerta për udhëheqësit dhe popullin e Sudanit në këtë vendim, i cili forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe hap rrugë të reja për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj gjithashtu përshëndeti njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Sudanit.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është e mirëseardhur njohja nga shteti i Sudanit.

“Për Kosovën, avancimi në njohjen e sovranitetit të saj është krucial. Në këtë rast, Presidenca ishte në krye të detyrës për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ky hap duhet të vazhdojë me ritëm të shpejtë. Urime, Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe ish-presidenti dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli e ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani për njohjen e Kosovës nga Sudani.

“Ashtu siç e paralajmëruam, njohja nga Kenia, si shtet ndër më të fuqishmit në kontinentin afrikan, nxit një valë njohjesh për vendin tonë. Njohja nga Sudani është lajm fantastik. Urime Kosovë! E përgëzoj edhe presidenten Osmani për punën e saj që po zhvillon në Antalia. Urime Kosovë!”, ka thënë Pacolli.

Njohja nga Sudani është e dyta brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit. Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën.