Njohja e klikimeve

Nuk ka asnjë produkt, ide, besim, fe apo shërbim që është shpërndarë më shpejt në historinë e njerëzimit sesa Facebook'u.

Opinion

22/11/2013 09:52

Fillimisht organizata më e madhe që grumbullon ekspertët e fushës së telekomunikimit dhe Internetit STIKK, e sponzoruar nga një program i Diplomacisë Digjitale së MPJ të Republikës së Kosovës, e botoi një studim voluminoz dhe kualitativ rreth shpërndarjes së Internetit në Kosovë.

Gjetjet ishin interesante dhe konfirmojnë njohuritë anekdotale që kemi nga jeta e përditshme: kosovarët janë ndër popujt më të lidhur me Internet në tërë Ballkanin e edhe më gjerë! Plot 76% të kosovarëve të moshës 10 deri 60 vjeçare janë përdorues aktivë të Internetit. Ekonomitë familjare, si në pjesën rurale ashtu edhe në qytet, janë po ashtu të lidhura në Internet. Një numër i madh i kosovarëve gjithashtu posedojnë smartphone, të cilin e përdorin për Internet.

Sa për krahasim, shpërndarja e Internetit në Kosovë është më e lartë se të gjitha vendet fqinje.

Këta numra përputhen edhe me gjetjet nga burimet tjera të informimit si dhe censusit të popullatës që u organizua më 2011. Që të gjitha resurset statistikore flasin se shumica e kosovarëve pavarësisht moshës janë përdorues të Internetit.

Është i natyrashëm ky interesim i madh i kosovarëve për të qenë “log in” tërë kohën në Internet.

Demografia e popullatës është shumë e re, që e bën Kosovën tokë të pjellshme për adoptim dhe përdorim të shpejtë të teknologjive të reja.

Po ashtu, e dimë se dikur rreth 1/5 e tërë popullatës kosovare jeton jashtë shtetit në diasporë, gjë që kushtëzon edhe më shumë përdorimin e madh të mjeteve të telekomunikimit. Kjo vërehet lehtë edhe në analizën e STIKK se cilat faqe i përdorin kosovarët më së shpeshti – plot 75% të përdoruesve kosovarë janë në Facebook, ndërsa një numër shumë i madh përdor edhe rrjetet për biseda falas –  si SKYPE ose  VIBER. Përdorimi i madh i Internetit tashmë është bërë problem edhe për operatorët e telefonisë mobile, ngase profitet janë duke rënë në Kosovë për shkak të përdorimit të mundësive që të komunikohet gratis.

Si për të çimentuar rëndësinë e rrjeteve sociale tek përdoruesit e shumtë të Internetit në Kosovë, erdh edhe lajmi që bëri bujë për “njohjen” e Kosovës nga Facebook, ose listimin e Kosovës si të mëvetshme në këtë rrjet social.

Lajmi iu kumtua Kryeministrit Thaçi nga kompania Facebook, mbrëmjen e së hënës. Të martën lajmi u përhap në tërë pejsazhin medial kosovar si dhe rrjete sociale, të mërkurën lajmi veç morri edhe përmasa ndërkombëtare me shumë agjenci që raportonin për këtë sukses të radhës së Kosovës. Të enjten edhe portalet e mëdha të botës si Slate.com apo RFE/RL si dhe AFP mbushën faqet e gazetave botërore me lajmin e lezetshëm se si Facebook njohu Kosovën.

Edhe Kongresi Amerikan, nëpërmjet llogarisë zyrtare në Twitter, uroi Kosovën për njohjen nga Facebook’u. Kongresmeni Eliot Engel ka luajtur një rol specifik në lobim për njohje nga këto faqe të Internetit, prandaj lajmi që pat primesa teknike të futjes së Kosovës në databaza të Facebook’ut u bë edhe lajm me konotacione politike. Në fund, bile, edhe ish Presidenti Sali Berisha e postoi një porosi në llogarinë e vet të Facebook’ut ku e quajti njohjen nga ky rrjet social si “ditë historike”. Pa ekzagjerim.

Por, shtrohet pyetja – pse Diplomacia e Kosovës u angazhua aq shumë për “njohjen virtuale”?

Aty-këtu edhe përdoruesit e Internetit pyetnin – a nuk është më mirë të fokusohemi në njohje nga shtetet e OKB’së, ose ndoshta në punësimin e të rinjve të cilët qëndrojnë tërë ditën në rrjete sociale edhe nga zori, jo vetëm nga dëshira.

Përgjigja është e qartë: Puna jonë në Ministri të Jashtme dhe puna specifike në Diplomaci Digjitale kurrqysh nuk bën ta injorojë integrimin e Kosovës në Internet dhe përdorimin e Internetit për të ndryshuar imazhin e Kosovës dhe informatat për Kosovën.

Derisa Ministria e Zhvillimit Ekonomik është e detyruar të gjejë projekte për investime dhe të krijojë vende pune, e derisa Ministria e Arsimit duhet të krijojë kuadro të reja kompatibile me nevojat e tregut të punës, ne që punojmë në MPJ jemi të preokupuar që të lidhim Kosovën në të tëra mënyrat me bashkësinë ndërkombëtare – si në njohje bilaterale, ashtu edhe me njohje virtuale.

Nuk është kjo vetëm për simbolizëm! Nuk është njohja virtuale vetëm për chat ose vetëm për të pasur saktësi kur të postojmë imazhe në Instagram. Jo – mospërfshirja e Kosovës në Internet dhe produkte dhe shërbime në Internet ka një efekt negativ në tërë pejsazhin ekonomik por edhe lobues. Kompanitë e mëdha kohëve të fundit e përdorin Facebook’un për të matur madhësinë e një tregut, ndërsa kompanitë vendore e kanë mënyrën më të sigurt dhe më të shpejtë të reklamimit nëpërmjet rrjeteve sociale.

Gazetat e shtypura dhe televizioni po shikohen dhe lexohen gjithnjë e më pak, sidomos nga rinia. Portalet dhe burimet online të informimit dhe promovimit janë pikat ku fokusohet vëmendja e pjesës më të madhe të popullatës.

Shumë kompani kosovare as që tentojnë të reklamohen në Facebook, sepse nuk dëshirojnë të shpenzojnë para për fushata të përdoruesve që nuk dihej se a janë në Serbi apo Shqipëri?! Të dhënat statistikore, po ashtu, janë të mangëta kur nuk ka kategori të veçantë për Kosovën.

Në anën tjetër, edhe për promovimin turistik, politik, kulturor të Kosovës – ishte më rëndësi që platforma më aktive e shkëmbimeve të eksperiencave dhe informatave, e që janë rrjetet sociale si Facebook, Twitter, LinkedIn dhe Instagram, është më rëndësi të dihet se ku është Kosova.

Me njohjen e klikimeve kosovare, largohet mjegulla informative rreth Kosovës dhe bëhet shumë më i qartë lokacioni, pozicioni dhe madhësia e Kosovës si treg dhe si vend.

Prandaj, edhe mediat botërore i dhanë aq shumë rëndësi kësaj “njohje”. Facebook’u e sqaroi se nuk bëjnë njohje politike të shteteve, sepse nuk janë OKB, por në botën e sotme, nëse nuk jemi pjesëmarrëse në debatet dhe rrjetet sociale online, bëhemi të pavërejtshëm dhe të injorueshëm.

Në një gjë skeptikët kanë të drejtë – njohja nga Facebook’u gjithsesi nuk zëvendëson edhe hapjen e kufinjve jovirtualë për kosovarët. Imazhi nuk e zëvendëson eksperiencën dhe pamundësia për të udhëtuar ka bllokuar edhe zhvillimin shoqëror të Kosovës. Ky duhet të jetë objektivi kryesor i neve që punojmë në diplomaci, ngase vitet e ardhshme do të jenë fundamenalisht të rëndësishme për të formësuar shoqërinë tonë – ose do të jetë mendjehapur dhe shoqëri e hapur me rini që udhëton nëpër tërë Europën, ose do të mbetemi të izoluar dhe vetë-viktimizues.

Në këtë sfidë politike, Facebook’u saora mund të bëhet edhe vegël e atyre me agjenda shumë më të errëta dhe të dëmshme politike.

 

(Autori është ZëvendësMinistër i Punëve të Jashtme. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)