Njoftim nga Policia: Nesër do të ketë bllokim të rrugëve përreth stadiumit “Fadil Vokrri”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka bërë përgatitjet për të ofruar siguri për ndeshjen që nesër zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në mes të Kosovës dhe Suedisë.

Lajme

27/03/2021 14:19

Për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, policia do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke vendosur pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve.

Bllokimet dhe kufizimet në zonën përreth Stadiumit do të bëhen, bazuar në vendimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria për shërbime Publike.

Plani në fjalë do të fillojë të implementohet nesër prej orës 07:00, deri në pëfundim të ndeshjes, ku do të ndërpritet qarkullimi dhe ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve në rrugët: “Enver Zymberi” dhe “Rinia”.

Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura.