Njeriu më i pasur në botë pi ujë të qitjeve organike (Video)

Një sasi e madhe e qitjeve organike të njerëzve lëshohet nëpër gypa dhe arrin në një enë të madhe për mbeturina. Pastaj ato futen në makinë e cila të gjitha ato i zien dhe përpunon. Disa minuta më vonë rezultati final është – uji i pijshëm i shijshëm.

Bota

06/01/2015 23:01

Ata që e kanë vizituar stabilimentin që merret me riciklim të qitjeve organike të njeriut për të prodhuar ujë dhe energji elektrike (me shumë pak mbetje hiri), kanë pasur rastin që në vepër të shohin se si punon kjo makinë në pronësi të fondacionit të Bill Gates, e cila mund të bëjë revolucion të vërtetë në prodhimin e ujit të pijshëm që në planetin tonë po mungon gjithnjë e më shumë. Përveç kësaj kjo ide ka për qëllim edhe të përmirësojë kushtet sanitare në vendet e varfra, transmeton lajminet.

Uji ka shijen e njëjtë me shijen e ujit që e blejmë në shishe në shitore. Është ujë shumë i sigurt, thotë një nga gazetarët që vizitoi stabilimentin e Gates-it.

Nëse mund të zhvillojmë mënyra të sigurta për t’u lirar nga qitjet organike njerëzore, atëherë do të parandalojmë shumë vakje dhe t’iu ofrojmë rastin fëmijëve të rriten në mënyrë të shëndetshme, deklaroi Gates.

Pos idesë për ndërtimin e tualeteve të reja, krijuesi i Microsoftit, thotë se ide tjetër është ndërtimi i stabilimenteve për përpunimin e ujërave fekale. Projekti i quajtur “Omniprocessor” është punuar nga kompania “Janicki Bioenergy”, një firmë inxhinierie e stacionuar në Seatlle.

“Omniprocessor është deponi e sigurt për qitjet njerëzore. Sot, në shumë vende pa sisteme bashkëkohore të kanalizimit, kamionët vetëm mbledhin mbeturinat dhe i hedhin në lumin apo oqeanin e afërt. Mbeturinat e tilla pastaj shpesh përfundojnë në sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm. Por, me projektin e ri, mbeturinat do të shkatërrohen në mënyrë të sigurt. Makina punon në temperatura aq të larta (1,000 gradë Celsius) sa që nuk ndihet fare era e pakëndshme dhe plotëson të gjitha standardet e emetimit të gazrave që i ka vendosur qeveria amerikane”, thonë në këtë firmë.

Do të kalojë shumë kohë derisa ky lloj procesori të fillojë të shfrytëzohet anembanë botës, por tash për tash gjasat janë shumë impresive. Më e rëndësishmja është që procesori do të jetë në gjendje të mbajë qitjet njerëzore sa më larg sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, kurse pastaj nga këto të krijojë edhe vlerë të re në treg. Bëhet fjalë për shembullin e thënies së vjetër – mbeturina e një njeriu mund t’i shërbejë tjetrit si pasuri. (lajmi.net)