Njëherë u sulmua fizikisht e sot dyshohet se u vendos mjet shpërthyes afër vendbanimit të dr.Afrim Veliut – Gjithçka që dihet deri më tani

Një mjet shpërthyes dyshohet se është gjetur në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Prishtinë. Vendi ku është gjetur ky mjet shpërthyes, është afër vendbanimit të gjinekologut të njohur kosovar, dr.Afrim Veliu. Në lidhje me rastin, për lajmi.net detaje ka dhënë edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Sot rreth orës…

Lajme

25/05/2025 17:28

Një mjet shpërthyes dyshohet se është gjetur në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Prishtinë.

Vendi ku është gjetur ky mjet shpërthyes, është afër vendbanimit të gjinekologut të njohur kosovar, dr.Afrim Veliu.

Në lidhje me rastin, për lajmi.net detaje ka dhënë edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 14:00 kemi pranuar informatën për një mjet të dyshimtë shpërthyes në rrugën Dëshmorët e kombit në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore të cilat po ndërmarrin veprimet e nevojshme për të menaxhuar situatën.”, ka njoftuar Ahmeti.

Doktori Veliu, një javë më parë u bë cak i një sulmi fizik në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet.

Dëshmitari i rastit ka deklaruar se Veliu ishte i përgjakur dhe se derisa po futej në makinë dikush e kishte sulmuar me një shufër metalike.

Në lidhje me këtë rast, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Agron Borovci ka thënë se doktori është goditur në kokë me një mjet metalik, teksa po futej në makinën e tij, shkruan lajmi.net.

“Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur”, tha Borovci, shkruan lajmi.net.

Sipas Borovcit, viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur.

“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur  ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar  një hetim në drejtim të veprës penale  “Lëndim i lehtë trupor”, ka shtuar ai.

Në lidhje me rastin, detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka inicuar rastin ‘Lëndim i lehtë trupor’, bazuar në nenin 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me këtë çështje,” ka deklaruar zëdhënësja e Prokrurorisë, Kaltrina Shala ditë me parë.

Viktima e këtij rasti, doktori Afrim Veliu një ditë pas sulmit është deklaruar duke thënë se nuk ka lidhje me punën e tij.

“Nuk i di motivet, për besë. Po më duket e rastësishme më shumë. Mirë jam shumë, super”, kishte thënë Veliu për “Betim për Drejtësi”, një ditë pas sulmit.

Sulmet ndaj zyrtarëve publik gjegjësisht punëtorëve shëndetësorë, ndodhin shpesh në vendin tonë prandaj kjo edhe e shton rrezikun për të ushtruar profesionin e tyre. /Lajmi.net/