Një votim që mund të shkruajë histori: Kurti përballë skenarit që Kosova s’e ka parë kurrë!
Albin Kurti është zyrtarisht mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, por vetëm pak orë para seancës së Kuvendit, ende nuk dihet nëse do të arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash. Seanca për votimin e kabinetit të ri qeveritar pritet të mbahet të dielën në orën 10:00, ndërsa situata politike…
Lajme
Albin Kurti është zyrtarisht mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, por vetëm pak orë para seancës së Kuvendit, ende nuk dihet nëse do të arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash.
Seanca për votimin e kabinetit të ri qeveritar pritet të mbahet të dielën në orën 10:00, ndërsa situata politike mbetet e tensionuar. Vetë Kurti ka pranuar publikisht se siguria e shumicës parlamentare është ende në pikëpyetje, transmeton lajmi.net.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka 48 deputetë, ka zhvilluar bisedime me disa parti për të krijuar koalicione të mundshme. Një ofertë për bashkëqeverisje i është bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por kjo e fundit e ka refuzuar. Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me Nismën Socialdemokrate, që ka tre deputetë, po ashtu nuk kanë dhënë rezultat.
Aktualisht, Vetëvendosje mund të llogarisë në mbështetjen e disa deputetëve të komuniteteve joserbe dhe të Nenad Rashiqit nga komuniteti serb. Megjithatë, nuk ka siguri për votën e Duda Baljes, Veton Berishës dhe Adem Hoxhës, të cilët përfaqësojnë komunitetet boshnjak, egjiptian dhe goran.
Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë shumicën, Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të ftojë partitë parlamentare për konsultime, me qëllim që të shohë nëse ndonjë subjekt tjetër mund të formojë qeverinë. Ajo ka theksuar se, në mungesë të marrëveshjes në seancën e së dielës, do të shqyrtohen opsione të tjera për të shmangur bllokadën institucionale.
Ndërkohë, PDK dhe LDK kanë deklaruar se nuk e kanë shumicën për të formuar qeverinë në rast se dështojnë përpjekjet e Kurtit, duke shtuar pasigurinë rreth rezultatit të seancës së nesërme.
Nëse votimi dështon, Kurti do të hynte në histori si mandatar i parë që nuk arrin të formojë qeverinë që në tentativën e parë, që nga vendosja e pluralizmit politik në Kosovë.
Që nga viti 2001, çdo proces i formimit të qeverisë ka përfunduar me sukses në raundin e parë të votimit — duke përfshirë kabinetet e Bajram Rexhepit (2002), Ramush Haradinajt (2004), Agim Çekut (2006), Hashim Thaçit (2008, 2010, 2014), Isa Mustafës (2014), Ramush Haradinajt (2017), Avdullah Hotit (2020) dhe vetë Albin Kurtit (2020, 2021).
Zhvillimet e 24 orëve të ardhshme pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse Kurti do ta ruajë postin e kryeministrit apo nëse vendi do të përballet me një fazë të re të negociatave politike./lajmi.net/