Një vit – 1700 raste të dhunës në familje, ekspertët flasin për shkaqet dhe pasojat
Dhuna në familje mbetet dukuri mjaft shqetësuese në Kosovë. Vetëm në këtë vit në vendin tonë janë raportuar 1700 raste të dhunës në familje.
Lajme
Kështu u tha në konferencën e organizuar nga OSBE-ja, në të cilën u prezantuan rezultatet e Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë, në prag të 25 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe fillimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”.
E psikologët dhe sociologët këtë po e shohin si një problem të madh derisa kanë identifikuar disa nga shkaqet dhe pasojat e dhunës në familje.
Fatime Rrahmani, psikologe për lajmi.net është shprehur se dhuna në familje është e dukshme tek kategoritë shoqërore me mentalitet patriarkal.
Sipas saj, dhuna ndikon ndjeshëm për të keq në shëndetin mendor të familjes si tërësi.
“Dhuna në familje është vërejtur të jetë posaqërisht e dukshme tek kategoritë shoqërore të cilat ende operojnë me mentalitet patriarkal ku roli i gruas mbetet ende nën hije”, tha Rrahmani për lajmi.net.
“Dhuna në familje natyrisht që ndikon ndjeshëm në shëndetin mendor të familjes, veçanarisht atë të gruas dhe fëmijëve (nëse ka)”, vazhdoi Rrahmani.
Sipas saj, ankthi, depresioni, mendimet dhe tentimet për vetëvrasje janë pasojat potenciale të fenomenit të dhunës në familje.
“Shumica e problemeve të shëndetit mendor bazuar në studimet e ndryshme në shkencën e psikologjisë në botë, por edhe në Kosovë, rezultojnë të vijnë nga fenomene të tilla, ku nga këto probleme të shendetit mendor më të theksuarat janë ankthi, depresioni, mendimet dhe tentimet për vetëvrasje”, tha Rrahmani.
Gjatë bisedës me lajmi.net, Rrahmani ka përmendur edhe disa nga mënyrat se si mund të parandalohet fenomeni i përhapur i dhunës në familje.
“Për të parandaluar këtë fenomen, normalisht duhet të mobilizohen disa shtresa të intervenimit në shoqëri, duke u nisur nga sistemi i gjerë; politikat sociale, mbrojtja me lidh dhe deri tek intervenimet parësore nëpër qendrat sociale në komuna dhe qendrat policore.
Mungesa e psikologëve dhe punëtorëve social në shumë institucione publike, të këtyre rendeve të përmendura vështirëson punën dhe zvogëlimin e rasteve, në mungesë të marrjes së ndihmës së kërkuar.
Krijimi dhe zhvillimi i politikave sociale, intervenimet efektive me metoda të bazuara në të dhëna shkencore lehtëson punën me rastet e tilla dhe luftimin e përgjithshem të ketij fenomeni”, tha në fund Rrahmani.
Ndërsa në anën tjetër, sociologu Halim Emerllahu për lajmi.net është shprehur se lëvizjet e mëdha të strukturës shoqërore në këtë kohë kanë ndikuar që të ketë më tepër raste.
“Sot jemi në kohën e pragmatizmit të botës postmoderne dhe lëvizjet e shoqërisë me ideologji të ndryshme rreth qasjes ndaj martesës dhe lidhjes bashkëshortore për organizimin e jetës dhe relacionin social të jetës intime deri te organizimi i familjes dhe idea e avansimit në ambiente dhe aktivitete tjera shoqërore në ambientin e jashtëm dhe të brendshëm që janë të lidhura me jetën e botës tani. Organizimi i jetës sonëë në këtë kohë që ka krijuar identitete shumëdimensionale ka bërë të ndryshojnë parimet e jetës ideologjike për organizim të martesës, për tejkalimin e martesës tradicionale. Pikërisht mospërshtatja, humbja e respektit, afërsisë, humbja e kujdestarisë dhe lidhjes seksuale, tejkalimi seksual dhe psikosocial janë faktorët e dhunës në familje. Po ashtu ka shumë padrejtësi si mohimi i të drejtës në vendimarrje, aktiviteti jashtë ambientit social, diskriminimi, kushtet ekonomike dhe të tjera”, tha Emerllahu për lajmi.net.
Emerllahu ka folur edhe për pasojat e dhunës në familje duke i cilësuar si shumë shqetësuese.
Ai është shprehur se sidomos fëmijët mund t’i bartin pasojat e humbjes së identitetit dhe krizave në arsimim.
“Pasojat janë shqetësuese për strukturën dhe ndërtimin e familjes, në edukim, në avansim të fëmijëve, në kriza emocionale të çrregullimit social, që sjellin dukuri sociopatologjike, izolim në integrim shoqëror etj. Pasojat që përjetojnë dhunë në familje janë fëmijët dhe dhuna në familje është faktori determinues që fëmijës mund t’i sjellë depresion, humbje të identitetit shoqëror, edukativ, arsimor, dhe një çrregullim ambienti për rrethin social”, tha Emerllahu për lajmi.net.
Më tutje, sociologu Emerllahu për lajmi.net ka numëruar mënyrat se ti mund të zvogëlohet numri i këtyre rasteve dhe të minohet fenomeni i dhunës.
“Rastet e dhunës në kohën që po jetojmë janë të papranueshme, humbja e autoritetit patriarkal, qeverisja dhe vullneti për bashkëjetesë, toleranca, komunikimi, leximi dhe njohja si faktorë, e gjithashtu zhvillimi, përgatitja shkollore dhe integrimi social i qifteve janë hapa që duhet ndërmarrë. Dialogu, kufizimi i autoritetit patriarkal, marrëveshjet mbi lidhjen e martesës, zbusin konfliktin dhe dhunën në qiftet bashkëshortore”, tha Emerllahu për lajmi.net.
Ndërkohë në konferencën e mbajtur për temën në fjalë, kanë folur përfaqësues të BE-së dhe të vendit.
Shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Jan Braathu tha se dhuna në familje nuk është dukuri që është prezente vetëm në Kosovë, por në gjithë botën. Sipas tij ky raport tregon se 2 për qind e grave kanë raportuar për dhunën nga partnerët, ndërsa një e treta e grave është ndier e informuar mirë për shërbimet që i kanë në dispozicion.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se shoqëria kosovare duhet të jetë e vetëdijshme që emancipimi dhe fuqizimi i gruas është fuqizim dhe emancipim për gjithë shoqërinë tonë. Sipas tij Kosova ka bërë hapa të mëdhenj për avancimin e gruas në shoqëri dhe se ky është vetëm fillimi. Ka ende hapa për të bërë në avancimin e gruas.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se dhuna në familje është fenomen global dhe është i vështirë si dukuri të luftohet.
Për shoqërinë kosovare ajo e konsideroi si arritje të rëndësishme themelimin e një data-baze për rastet e dhunës në familje.
“Anketa thekson se mbështetje e shërbimeve dhe strehimoret për mbrojte të grave mungojnë. Inkurajojmë Qeverinë dhe komunat që strehimoret dhe financimi i tyre të jetë i qëndrueshëm dhe të bëhet trajnimi i punëtorëve”, tha Apostolova.
Ndërsa, koordinatori i Kosovës kundër dhunës në familje, Naim Qelaj tha se vetëm në këtë vit janë regjistruar në data-bazën e krijuar 1700 raste të dhunës në familje. Sipas tij Kosova ka krijuar bazë të mirë ligjore për luftimin e kësaj dukurie negative. /Lajmi.net/