Një telefonatë nga Eriksson, Albert Bunjaki rikthehet si trajner: Kemi objektiva të mëdha
Ish-reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki ka filluar një aventurë të re në shtetin e Suedisë. Para disa ditë ai është emëruar trajner i skuadrës, IF Karlstad – e cila bën gara në divizionin e tretë “Ettan Norra”. Lajmi.net ka realizuar një intervistë me trajnerin kosovar në lidhje me objektivat që ka kjo skuadër,…
Sport
Ish-reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki ka filluar një aventurë të re në shtetin e Suedisë. Para disa ditë ai është emëruar trajner i skuadrës, IF Karlstad – e cila bën gara në divizionin e tretë “Ettan Norra”.
Lajmi.net ka realizuar një intervistë me trajnerin kosovar në lidhje me objektivat që ka kjo skuadër, e cila si drejtor ka legjendën e njohur të futbollit, Sven-Goran Eriksson.
“Objektivat e klubit janë që brenda 3 viteve të jemi pjesë e elitës suedeze dhe jo vetëm kaq”, ishin fjalët e parë të Bunjakit për Lajmi.net
Telefonata nga ish-trajneri i Kombëtares së Anglisë dhe Manchester Cityt, ia ndryshoi mendjen menaxherit kosovar.
“Ka shumë vite që kisha plane të punoja me z. Sven Goran Eriksson. Një ndër trajnerët më të mirë në botë. Thjeshtë nuk mund t’i thoja jo. Karlstadt ishte për mua më joshëse edhe se vet klubet e ligës së parë, me të cilat po ashtu kisha një para-marrëveshje”, vazhdoi tutje 51-vjeçari
Bunjaki ka kaluar një kohë të gjatë në Kosovë. Përveç Kombëtares së Kosovës, tekniku ka qenë edhe drejtor te ish-skuadra e njohur në Kosovë, Feronikeli.
Për Lajmi.net, trajneri flet për kushtet që ka te skuadra suedeze, për të mos bërë ndonjë krahasim me Kosovë, sipas Bunjakit, këto kushte janë tejet fenomenale.
“Kushtet janë fenomenale madje edhe nëse e krahasojmë me top klubet në Suedi. Kam një staf teknik me eksperiencë ndërkombëtare, kushte për punë optimale dhe mbi të gjitha bordin e klubit, të cilët me vite ishin edhe pjesë e klubit të Hockey, Ferjastad (13 herë kampion në Suedi), tregon Bunjaki
Në skuadrën suedeze luajnë katër shqiptarë, dy prej tyre i afroi Bunjaki së bashku me drejtorin sporitv, Sven Goran Eriksson.
“Në klub është Harris Avdiu, të cilën vite më parë kishte tentuar ta merrja në Kombëtaren tonë, por Suedia U19 ishte më e shpejtë. Harrisi pas një viti në Allsvenska (divizioni i parë) ka vendosur të vijë tek unë. Me ne është edhe Agon Beqiri, të cilin po ashtu e njoh shumë mirë që nga mosha 16-vjeçare. Agoni është një lojtar shumë i veçantë i cili është në klub vite të tëra. Ndërsa, Ilir Berisha dhe Ajvazi janë prurje nga unë dhe Eriksson”, tutje shprehet Bunjaki për Lajmi.net
Pasi që kaloi një aventurë të gjatë në Kosovë, Bunjaki tregon se ka pasur bisedime edhe me klubet kosovare, por nuk ishte moment i mirë pasi ishte i kyçur duke punuar në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Mesazhi i fundit i Albert Bunjakit gjatë kësaj interviste, ishte i thjeshtë: “Unë biri ytë Kosovë”./Lajmi.net/