Një slloven në krye të OKB’së?

Lubjana zyrtare po e mbështet kandidaturën e ish Presidentit të Sllovenisë, Danilo Tyrk për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së. Postin e synon edhe Vuk Jeremic i Serbisë e Miroslav Lajcak i Sllovakisë.

Bota

02/01/2014 18:09

Qeveria e Sllovenisë e mbështet kandidaturën e ish Presidentit të vendit, Danilo Tyrk në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së dhe do të lobojë që kjo kandidaturë të ketë sukses.

“Qeveria e Sllovenisë sot është njoftuar me qëllimin e kandidimit të ish Presidentit  Danilo Tyrk për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së dhe do ta mbështesë këtë kandidaturë”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë sllovene, Bostjan Lajovic.

Ish Presidenti Tyrk ka qenë Ambasadori i parë i Sllovenisë në OKB në vitin 1992. Ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së, Kofi Anan në vitin 2000 e kishte emëruar atë ndihmës së tij për çështje politike.

Më vonë, Tyrk u kthye në vendlindje për ta vazhduar karrierën si profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë në Lubjanë.

Ai u zgjodh President i Sllovenisë si kandidat jopartiak në vitin 2007, ndërsa ishte kandidat edhe për një mandat të dytë në vitin 2012 kur në raundin e dytë u mund nga Presidenti aktual i shtetit, Borut Pahor.

Para Tyrk, si kandidaturë e mundshme për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së është përmendur edhe ish Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremic, i cili vitin e kaluar ka qenë President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, si dhe shefi i diplomacisë sllovake Miroslav Lajcak dhe Drejtoresha e UNESCO’s, Irina Bokova e Bullgarisë.

Mandati i Sekretarit aktual të përgjithshëm Ban Ki-moon përfundon në dhjetor të vitit 2016, ndërsa pritet që pasuesi i tij të vijë nga vendet e Europës Juglindore, në bazë të rotacionit të gjashtë grupeve rajonale të OKB’së.