Një shqiptar 23-vjeçar vritet në Itali

I riu shqiptar, i cili punonte në një fermë, është vrarë të dielën në Lecce të Italisë, kurse mediat italiane bëjnë me dije se ai quhet Qamil Hyraj.

Lajme

06/04/2014 19:51

Trupi u gjet rreth orës 14:00  nga pronari i fermës që po i çonte për të ngrënë djaloshit, i cili prej shumë kohës i ruante kullotat dhe kopenë e bagëtive, raporton BW.

Edhe pse ndihma e shpejtë mbërriti në kohë rekord, ishte tepër vonë për të riun shqiptar.

Nga hetimet paraprake dyshohet se vrasja është kryer me një qitje përballë me pistoletë.

Mediat italiane hedhin dyshime se vrasja është e stilit mafioz. Kjo, sepse, sipas tyre, është shtënë nga një distancë e afërt direkt dhe në ballë të të riut shqiptar.

Hyraj njihej në zonë si një djalosh i qetë dhe i qeshur. Banorë të zonës thonë se ai e bënte shpesh rrugën Itali-Shqipëri, por asnjëherë nuk ka pasur precedentë penalë.

Mënyra e vrasjes duket si larje hesapesh. Pasi është qëlluar me pistoletë në ballë, i riu është thyer në gjunjë dhe ka rënë me fytyrë përballë me tokën.

Sipas BW, mediat italiane i kanë kushtuar hapësirë të madhe kësaj vrasje.