Një serb rrëmbehet dhe plagoset brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe- Detaje nga rasti në Leposaviq
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy ditë më parë ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe. Sipas informacioneve të deritanishme, vendi i ngjarjes ku…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy ditë më parë ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.
Sipas informacioneve të deritanishme, vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”,thuhet në njoftimin për media, transmeton lajmi.net.
Po ashtu u tha se Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e sigurisë”./Lajmi.net/