Një punëtor humbi jetën dje në Prizren, Prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj mbikëqyrësit dhe investitorit
Një punëtor i moshës 40 vjeçare nga Komuna e Drenasit, ka humbur jetën dje derisa po punonte në një çati në Prizren. Ai ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime trupore, të cilave nuk ka arritur të iu mbijetoj, shkruan lajmi.net. Në lidhje me rastin, dje për lajmi.net ka dhënë detaje edhe zëdhënësi i…

Lajme
Një punëtor i moshës 40 vjeçare nga Komuna e Drenasit, ka humbur jetën dje derisa po punonte në një çati në Prizren.
Ai ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime trupore, të cilave nuk ka arritur të iu mbijetoj, shkruan lajmi.net.
Në lidhje me rastin, dje për lajmi.net ka dhënë detaje edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili ka njoftuar se dy persona janë arrestuar, saktësisht investitori dhe punëkryesi i projektit.
“Me datë 30.07.2025, rreth orës 12:45, në qytetin e Prizrenit, është raportuar një incident në vendin e punës ku viktima N.XH., mashkull rreth 40 vjeç, nga Drenasi, gjatë kryerjes së punimeve në një kulm, ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më vonë, sipas informatave zyrtare nga emergjenca, është konfirmuar se ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Policia i është përgjigjur menjëherë rastit, duke ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe duke marrë dëshmi nga personat e pranishëm në vendngjarje. Lidhur me rastin, janë njoftuar hetuesit kujdestarë dhe prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet procedura penale për veprën: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Lidhur me rastin, mbikëqyrsi dhe investitori I punimeve janë intervistuar si të dyshuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Bytyqi për lajmi.net
Në lidhje me rastin, detaje për lajmi.net kanë dhënë edhe nga Prokuroria Themelore në Prizren, të cilët kanë thënë se do të parashtrojnë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Referuar kërkesës tuaj, Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë dy (2) persona, për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 par.7 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të njëjtit, brenda afatit ligjor prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prizren për lajmi.net.
Rastet e vdekjeve të punëtorëve në vendin e tyre të punës, e sidomos në ndërtimtari kanë qenë të shumta gjatë muajit korrik dhe gjatë 7 muajve të parë të këtij viti.
Nga janari e deri më sot, kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës plot 21 punëtorë, ndërsa vetëm në muajin korrik kanë vdekur pesë punëtorë, shifra këto që tregojnë një situatë alarmante të sigurisë në punë. /Lajmi.net/