Një poq elektrik 10 euro, shtylla 1 euro, kush u mashtrua komuna e Prishtinës apo kompania?

Për më shumë së një vit, shumë rrugë të Prishtinës kanë qenë pa ose me ndriçim të dobët publik. Para disa ditëve, Komuna e Prishtinës ka lidhur 6 kontrata për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në krejt territorin e komunës, por çmimet e vendosura aty janë shumë të ndryshme, disa më të larta e disa shumë më të ulëta se çmimi i tregut.

Lajme

21/06/2021 17:00

Në një lagje do të kryhet një riparim në ndriçimin publik për 10 cent e në lagjen tjetër për 10 euro e në një tjetër për 100 euro për shërbimin e njëjtë. Këso dallimesh kanë çmimet e vendosura në kontratat e komunës për të njëjtat prishje. Kontrata këto që kanë nisur të realizohen rishtazi, shkruan lajmi.net.

Por, si rezultat i vendosjes së çmimeve mashtruese, vetëm që të dilnin fitues me çmimin më të lirë, Komuna e Prishtinës tash e disa muaj ka iniciuar procedurë për shkëputjen e tri kontratave për kompanitë e mirëmbajtjes së ndriçimit publik. Komuna ua ka tërhequr siguracionin bankar, ngasë kompanitë kanë refuzuar të rregullojnë rrjetin ndriçues në shumë zona ku komuna ka pasur nevojë. Kompanitë nuk e kanë bërë këtë, ngase kanë pasur çmim shumë të ulët në disa pozicione.

Tash me kontratën e re, para pak ditësh, 75 shtylla të hekurtit për ndriçim publik të tipit H 90m, Komuna e Prishtinës i bleu 1 euro copën. Ato i vendosi në një rrugë në lagjen “Arbëria” ku ndriçimi ishte i dëmtuar. Këtë lajm e bëri të ditur edhe drejtoresha e Komunës së Prishtinës, Medina Braha.

“75 trupa ndriçues nga 1 euro, 75 euro total! Çmimi mesatar i tregut për këta trupa ndriçues është përafërsisht 30 deri 40 euro! 5 kuadra qendror (ormana) të ndriçimit nga 1 euro, total 5 euro! Çmimi mesatar i tregut për këta ormana është përafërsisht 300 euro. Pavarësisht se operatorët mund të ofertojnë me çmime të ulëta, ne i porosisim këto produkte varësisht nevojave për to dhe hapësirës ligjore. Gjatë menaxhimit të kontratave po mundohemi maksimalisht ta shpenzojmë paranë publike në mënyrë sa më efikase dhe efiçiente përkundër shumë vështirësive me të cilat po ballafaqohemi”, ka thënë drejtoresha Braha.

Por, ajo e ka treguar vetëm një anë të kontratës, atë ku komuna përfiton shumë, ani pse kompanitë mund të kenë vendosur çmime mashtruese shumë të larta në pozicione tjera për të cilat komuna do të ketë nevoje më tepër.

Lajmi.net i ka parë të gjitha kontratat që komuna i ka lidhur për mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit. Nëse Komuna ka blerë për 1 euro një shtyllat në Arbëri, ashtu siç ka njoftuar edhe drejtoresha Braha, në qendër ajo do t’i kushtojë 30 euro, e në fshatra 58 euro.

Në gjashtë kontratat të cilat janë për zona të ndryshme, çmimi është enorm dallues për shtyllat, por edhe për artikujt e tjerë. P.sh. një shtyllë e hekurit për ndriçim publik e tipit H 9m në lot 1 kushton 1 euro, në lot 2 kushton 30 euro, në lot 3 kushton 10 cent, në lot 4 kushton 53 euro, në lot 5 kushton 58 euro.

Tenderi i cili decitivisht quhet “Furnizimi dhe Mirëmbajtja rekonstruimi e rrjetit për ndriçimin publik” ka kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë 1 për secilin artikull. Pastaj, përmes poentimit të çmimit vendosë për fituesin e kontratës.

Tenderi është ndarë në 6 lote (pjesë) dhe në asnjërën prej tyre nuk është cekur se në cilën lagje apo zonë do të realizohet kontrata, vetëm janë vendosur sasitë. Ky prokurim është realizuar me procedurë të hapur.

Për lot 1 vlera e parashikuar e kontratës është 25 mijë euro. Fitues është “M.V.R. Elektromontues”  me çmimi për njësi 98, 65 euro. Në këtë kontratë janë paraparë 89 pozicione (artikuj).

Lot 2 kontrata i është dhënë “Ndriçimi” & “Termovision”, me çmim 148, 59 euro. Vlera e parashikuar e kontratës 25 mijë euro. Në këtë kontratë janë paraparë 84 artikuj, krejt të ngjashëm si në lot 1.

Lot 3 “Inline Engineering”, me çmim 222.44 euro. Vlera e parashikuar e kontratës 35 mijë euro.

Lot 4. “Clean Work Shines” me çmim të poentimit 309.23 euro. Vlera e parashikuar e kontratës 12 mijë euro.

Lot 5. “Elektra –Mont” & “V3-ING”, me çmim prej 351.48 euro. Vlera e parashikuar e kontratës 18 mijë euro.

Lot 6 i është dhënë  kompanisë “Termomontimi” me çmim 427.70 euro. Vlera e parashikuar e kontratës është 35 mijë euro.

Vlera totale e kontratave është 150 mijë euro dhe për ketë tender kanë garuar disa kompani.

“Kjo kontratë kornizë është kontratë me çmime për njësi prandaj Menaxheri i Kontratës është përgjegjës qe te luaj një rol aktiv ne mënyre qe sasia e porositur (shpenzuar ) nuk duhet të ndryshoj nga raportet sipas peshës se dhënë ne Paramasë Listën e çmimeve, kjo ne përputhje me interpretimin e KRPP-se te datës 10.12.2019, publikuar te pyetjet e shpeshta #68. Përfundimisht, njësia implementuese e kontratës mbetet përgjegjëse që në secilin rast të dëshmoj ne mënyrë te qarte se sasia e porositur dhe shpenzuar është në harmoni me peshën e dhënë dhe me nevojat reale te AK-ës. Specifikimet teknike janë perpiluar nga Njësia e kërkesës dhe janë përgjegjësi e tyre,pasi që Departamenti i Prokurimit nuk ka staf profesional për të vërtetuar a ka ndonjë kërkesë kufizuese apo diskriminuese në të njëjtat”, thuhet në njoftimin për kontratë të këtij tenderi.

Xhemshit Gashi, zyrtar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, njëherësh menaxher i kontratës, tha për lajmi.net se kontratat janë të ndara me lokacione të caktuara.

Ai tha se ka mbi një vit që komuna nuk ka pasur kontratë për mirëmbajtje e ndriçimit dhe se për këtë shumë zona kanë qenë në terr.

“Lot 1 p.sh përfshinë pjesën prej Përroit të njelmët, Arbëria, Kodra e Trimave deri në Bernicë dhe pastaj deri tek Kazerma “Zahir Pajaziti”. Lot 2 është zona qendrore, prej xhamisë së Llapit, Tophana, rruga “Agim Ramadani”, “Fehmi Lladrovci” deri tek rrethi i Flamurit, pastaj kah rruga Tirana, Lakërishte, pjesa e Kalbrisë, Veterrniku dhe lagja Qëndresa. Lot 3, nga rruga “Hasan Ramniku” në Kolovicë, Sofali, Germi, Velani, Mati, Matiqani dhe Prishtina e Re. Lot 4, këtu përfshihen fshatrat Shkabaj, Bardhosh, Barilevë, dy Bernicat, Trudë, Lebanë, Vranidoll, Besi, rimanishtë, Sharban. Lot 5 është Hajvalia, Çashkovci, Mramori, Grashtica, Makovci, Llukari. Lot 6, ka ndriçim të ulet i përfshinë në tersi pjesët e parqeve dhe te zonave ku është ndriçimi i ulët”, tha Gashi për lajmi.net.

Në postimin e saj, drejtoresha Braha ka shkruar se kanë blerë 5 kuadra qendrorë (ormana) të ndriçimit nga 1 euro, total 5 euro, për të cilat ka thënë se çmimi mesatar i tregut për këta ormana është përafërsisht 300 euro.

Ky artikull është kërkuar në gjashtë pjesët (6 lot) dhe në të gjitha ka çmime shumë ndryshe nga ai i tregut, ose shumë më të ulët. Në kontratën për pjesën e parë, kompania ka shkruar se do t’ia shes një këso artikulli me çmim prej 1 euro. Në kontratën për lot 2, çmimi është vendosur në vlerë prej 14 eurove. Në lot 3, çmimi është vendosur në vlerë prej 25 eurove. Në lot 4, çmimi për këtë artikull është vendosur në shumë prej 75 eurove. Në lot 5 është vendosur çmimi 85 euro. Në lot 6 është vendosur çmimi 100 euro.

Lidhur më këtë pozicion, Gashi tha se bëhet fjalë për ormanin. Ai tha se deri më tani kanë bërë disa porosi të këtij pozicioni. Ai thotë se të gjitha porositë kanë qenë nën çmimin e tregut.

“Kemi bërë pesë porosi të këtij pozicioni, pasi kemi identifikuara ata në të gjithë pozicionet se ku janë më të dëmtuarit. Kemi porositur  në lot 1 pesë porosi, në lot 3 pesë copë, në lot 5 kanë qenë 6 dhe në lot 6 kanë qenë 5 copa. Këto porsi kanë qenë shumë të lira në krahasim me çmimin e tregut”, tha ai.

Lajmi.net e ka pyetur Gashin, se a ka pozicione tjera që i keni porositur, por që janë me çmime më të shtrenjta se në treg.

“Rreth këtyre gjerave ne si komunë detyrohemi të punojmë me ato çka na servohën, pra që rrjedhin nga kontrata që është lidhur me prokurimin. Rreth këtyre gjerave nuk jam kompetent të flas, por normalisht se edhe këto informacione mund t’i merrni në Komunë”, tha menaxheri i kontratave.

Gashi ka thënë se kanë dalë në teren dhe kanë bërë një skanim ku kanë renditur kërkesat që u duhen për furnizim, por nuk ka pranuar të flasë së cilat janë ato kërkesa tjera emergjente që u duhen t’i blejnë nga kontraktuesit.

Lidhur me atë se për cilat pozicione kanë bërë pagesa deri më tani nuk ka dhënë përgjigje as drejtoresha e Shërbimeve Publike te Komunës ë Prishtinës, Medina Braha ne një kërkesë me shkrim që i ka drejtuar lajmi.net.

Nëse në lot 1, ormanet e shtyllat elektrik janë blerë për nga një euro, një produkte tjetër në këtë kontratë (lot 1) do të blihet shumë shtrenjtë. Për artikullin “Furnizimi, transporti dhe montimi i fytave E-27 për vendosjen e poçeve elektrik”, një sosh kushton 10 euro, në lot 2 e njëjta kushton 50 cent, ndërsa në lot 3 kushton 30 cent, në lot 4 kushton 1 euro. Në këtë kontratë nga 86 artikuj, 70 nga ta kanë çmim me nga 10 cent.

Po në lot 1, një tjetër artikull është shumë më i lartë se në kontratat tjera: “Furnizimi, transporti dhe montimi i lirave një anësore i mbajtje të trupave ndriçues 1.50m me hark”, në vlerë prej 15 eurove. Në lot 2, ky pozicion kushton 1 euro, në lot 3 kushton 5 euro. Por, nuk dihet se për sa sosh pozicione komuna do të ketë nevojë aktualisht, pasi nuk kanë pranuar të japin informata, pos atyre furnizimeve me çmim të lirë.

Po në lot 1 artikulli “Furnizimi, transporti dhe montimi i qelqit mbrojtës për trupat ndriçues sheshit 125 W”, kushton 10 euro, kurse në lot 2, kushton 1 euro, në lot 3 ky produkt ofrohet me 50 cent.

Edhe në lot 2 nga gjithsejtë 84 artikuj, 26 janë më çmim prej 10 centë dhe shumica janë nga 1 euro. Por, edhe në këtë kontratë ka artikujt disa herë më të lartë se në kontratat tjera. P.sh. “Furnizimi, transporti dhe montimi i poqit të natriumit 150 w”, kushton 10 euro, në lot 1 kushton 10 cent, në lot 4 kushton 50 cent, në lot 5, kushton 7 euro.

Ky tender që është realizuar para disa ditëve, ka qenë ritender, pasi në tender dhe është zvarritur për shko të ankesave që kanë pasur kompanitë. Ne tenderin e parë komuna kishte bërë gabime të mëdha në paramas dhe si rrjedhojë nuk ka pasur asnjë ofertues. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/

Kontrata per lot 1, oferta e “M.V.R. Elektromontues”:

 

Lot 2 – “Ndriçimi” & “Termovision”:

 

Lot 3 “Inline Engineering”:

Lot 4. “Clean Work Shines”:

Lot 5. “Elektra –Mont” & “V3-ING”:

Lot 6 kompanisë “Termomontimi”: