Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për vrasje në tentativë në Ferizaj
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”. Sipas gjykatës, dyshimi i bazuar lidhet me një rast të ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në një rrugë në Ferizaj, ku të…
Lajme
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas gjykatës, dyshimi i bazuar lidhet me një rast të ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në një rrugë në Ferizaj, ku të dyshuarit, në bashkëpunim me një të mitur, dyshohet se kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh.
Rasti dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes A.A. dhe të dëmtuarit, e cila kishte ndodhur rreth një vit më parë në Zvicër.
Sipas aktvendimit të gjykatës, të dyshuarit fillimisht e kanë përcjellë të dëmtuarin me veturë. Pasi ai ka hyrë në një market, ata kanë dalë nga vetura. D.A. dyshohet se ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka goditur të dëmtuarin një herë në pjesën e majtë të abdomenit.
Ndërkohë, A.A. dyshohet se e ka goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i mituri dyshohet se e ka sulmuar me një shkop druri.
Si pasojë e lëndimeve, A.Sh. ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas është trajtuar edhe në QKUK në Prishtinë.
Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe ndaj D.A. dhe A.A. është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e tij.