Një muaj paraburgim për Albert Sylajn

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt. Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprën penale…

Lajme

28/10/2026 18:31

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Vrasja e rëndë”, transmeton lajmi.net.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Paraburgimi është caktuar në përputhje me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Masa e paraburgimit llogaritet nga 27 tetori 2026, në orën 23:40, dhe do të zgjasë deri më 27 nëntor 2026.

Sipas gjykatës, vepra penale për të cilën dyshohet Sylaj është e përcaktuar në nenin 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të tij. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës Themelore në Pejë./lajmi.net/