Një muaj para aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Bajrami: Historia e Kosovës nuk fillon me një aktakuzë dhe nuk përfundon me një aktgjykim
Një muaj para shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesor i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, ka reaguar përmes një postimi, duke e cilësuar këtë proces si një nga çështjet me rëndësi të jashtëzakonshme juridike, politike dhe historike për Kosovën. Bajrami ka shprehur shqetësime lidhur me kohëzgjatjen e…
Lajme
Një muaj para shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesor i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, ka reaguar përmes një postimi, duke e cilësuar këtë proces si një nga çështjet me rëndësi të jashtëzakonshme juridike, politike dhe historike për Kosovën.
Bajrami ka shprehur shqetësime lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, si dhe mënyrën se si është zhvilluar procesi, shkruan lajmi.net.
“Si profesor i së drejtës kushtetuese dhe jurist, besoj se ky proces ka qenë në kundërshtim me standardet më të larta të shtetit të së drejtës, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të parimeve universale të një gjykimi të drejtë”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka thënë se përtej aspektit juridik, procesi ka rëndësi edhe për mënyrën se si lufta e UÇK-së do të interpretohet në kujtesën ndërkombëtare dhe në historinë e Kosovës.
“Për këtë arsye, duhet të jemi të qartë dhe të vendosur: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe luftë për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas Bajramit, UÇK-ja veproi në rrethana të represionit të rëndë të regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“UÇK-ja nuk e krijoi konfliktin në Kosovë. Konflikti ishte rezultat i politikës represive dhe diskriminuese të regjimit serb ndaj Kosovës”, ka shkruar ai.
Bajrami ka kundërshtuar çdo përpjekje që, sipas tij, synon shkëputjen e luftës së Kosovës nga konteksti i saj historik.
“Prandaj, çdo përpjekje për ta rishkruar historinë e Kosovës duke e paraqitur luftën çlirimtare si një projekt kriminal, apo duke e barazuar atë me politikën shtetërore të represionit dhe dhunës së regjimit të Millosheviqit, duhet të kundërshtohet me argumente historike, juridike, politike dhe akademike”, ka thënë ai.
Profesori i së drejtës kushtetuese ka theksuar se një aktgjykim gjyqësor nuk mund ta përcaktojë i vetëm historinë e Kosovës.
“Një proces gjyqësor nuk mund ta zëvendësojë historinë. Historia e Kosovës nuk fillon me një aktakuzë dhe nuk përfundon me një aktgjykim”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka thënë se, pavarësisht vendimit që do të marrë Gjykata Speciale, ai nuk duhet të përdoret si instrument për rishkrimin e historisë së Kosovës.
“Prandaj, çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Speciale, ai nuk duhet të shndërrohet në instrument për rishkrimin e historisë së Kosovës”, ka theksuar ai.
Bajrami ka bërë thirrje për unitet politik dhe shoqëror, duke vlerësuar se dallimet politike nuk duhet ta pengojnë një qëndrim të përbashkët për atë që ai e konsideron si mbrojtje të historisë së Kosovës.
“Mund të kemi pikëpamje të ndryshme për qeveritë, partitë dhe politikat publike. Por përballë përpjekjeve për deformimin e historisë së Kosovës duhet të kemi një qëndrim të përbashkët”, ka shkruar ai.
Në fund, Bajrami ka shprehur pritjen që Gjykata Speciale të marrë një vendim të drejtë dhe ka thënë se shpreson që aktgjykimi të jetë lirues.
“Unë dua të besoj se Gjykata Speciale do të japë një vendim të drejtë, të mbështetur në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë. Shpresoj që vendimi të jetë lirues dhe që ky proces i gjatë të përfundojë me një rezultat që do t’u japë fund shumë prej dilemave dhe akuzave që për vite kanë rënduar mbi Kosovën dhe mbi historinë e saj të luftës çlirimtare”, ka deklaruar Bajrami.
Ai e ka përmbyllur reagimin me një thirrje për unitet: “Por, cilido qoftë vendimi, Kosova duhet të mbetet e bashkuar”. /Lajmi.net/