Një jetë në shërbim të Kosovës
Për t’i shërbyer atdheut në kohën e luftës, vendosi të vesh uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të bëhet pjesë e spitalit ushtarak në Zonën Operative të Llapit. Është kjo kapitene Fitnete Seta, e cila përveç shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka shërbyer edhe në Trupat Mbrojtës të Kosovës dhe shërben sot në Ushtrinë e Kosovës.
Lajme
Kapitene Seta, aktualisht është pjesë e regjimentit të mjekësisë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ajo thotë se për të është nderë dhe privilegj që i ka shërbyer vendit dhe këtë vazhdon ta bëjë.
“Në periudhat e mëhershme kam shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mbas asaj në Trupat Mbrojtës të Kosovës, ku edhe sot jam pjesë e uniformës apo Ushtrisë së Kosovës…Ndjenja është e veçantë si atëherë, po edhe tani të shërbesh në uniformë, të shërbesh për shtetin dhe për vendin tënd. Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kam shërbyer në Zonën Operative të Llapit, kam qenë pjesë e spitalit ushtarak të kësaj zone”, thotë ajo.
Ajo tregon se në periudhën e luftës ka qenë e angazhuar në spitalin ushtarak në Zonë Operative të Llapit, ku me shumë bashkëluftëtarë të saj kishte mjekuar plagët e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shërbimi për atdheun për të është nderë i veçantë, ku thotë se përveç nderë është edhe krenari që për gati tri dekada shërben në uniformë.
“Përvoja ime është shumë vjeçare ta them të drejtën, tani po i bëjë tri dekada në uniformë, duke filluar prej uniformës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Trupat Mbrojtës të Kosovës dhe tani në Forcë të Sigurisë së Kosovës. Është nderë i veçantë dhe ndjenjë e veçantë të shërbesh për vendin dhe për kombin tonë, për popullin tonë”, thotë Seta.
Kapitene Fitnete Seta, për KosovaPress thotë se për të më i veçantë mbetet shërbimi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi që në atë periudhë ka qenë një situatë më e rëndë për vendin.
Edhe tash në liri që shërben në Ushtrinë e Kosovës, thotë se është nderë për të.
“Ndjenja është më e veçantë në periudhat e mëhershme në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, se atëherë ka qenë një situatë tjetër, po gjithashtu është nderë edhe sot që të shërbesh dhe të punosh për vendin dhe për kombin e popullin tonë”, thotë Kapitenia Seta.
Ajo ka një mesazh për të gjithë të rinjtë e vendit që të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës, pasi sipas saj shërbimi për vendin është privilegj.
“Të inkuadroheni në Forcë të Sigurisë së Kosovës, të shërbeni për vendin se është privilegj dhe nderë”, thotë ajo.
Për kontributin e dhënë gjatë luftës në Kosovë, kapitenia Fitnete Seta është dekoruar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, si vlerësim për kontributin e saj për pavarësinë e Kosovës.
Kjo medalje për të është motivuese, pasi që tregon se shteti i njeh kontributin e dhënë.
“Është motivuese, është emocionuese njëkohësisht, është një nderë, një emocion i veçantë që dekorohemi për atë periudhë”, shprehet ajo.
Kapitenia Fitnete Seta thotë se nuk do të ndalet së punuari në të mirë të shtetit, ndërsa inkurajon të gjithë të rinjtë e vendit që të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.