Një javë më parë bëri thirrje për rikthim në LDK të të dëshpëruarve dhe të larguarve – Abdixhiku sot i “sulet” Mustafës që e kritikoi për rezultatet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku me 31 janar i mbijetoi votëbesimit në Kuvendin e Punës. Pasi i mbijetoi votëbesimit, Abdixhiku kishte bërë thirrje atyre që janë dorëhequr, larguar dhe dëshpruar nga LDK-ja, të rikthehen pasi partia ka nevoj për ta. Sonte unë këtu ju bëj thirrje të gjithëve, sidomos ata që…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku me 31 janar i mbijetoi votëbesimit në Kuvendin e Punës.
Pasi i mbijetoi votëbesimit, Abdixhiku kishte bërë thirrje atyre që janë dorëhequr, larguar dhe dëshpruar nga LDK-ja, të rikthehen pasi partia ka nevoj për ta.
Sonte unë këtu ju bëj thirrje të gjithëve, sidomos ata që kanë qenë të pakënaqur me politikën e LDK, edhe ata që kanë pasur funksione të larta të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së LDK. Jemi pak, kemi nevojë për secilin. I bëj thirrje edhe njëherë, edhe ata të dëshpëruarit, të larguarit të dorëhequrit ose të kthehen brenda shtëpisë së tyre politike, në funksion të plotë politik’’, ishte shprehur ai, transmeton lajmi.net.
Por, nuk shkoi më shumë se 1 javë dhe Abdixhiku sulmoi ish-kryetarin e partisë, Isa Mustafa.
Ky i fundit në një intervistë për KosovaPress, kritikoi rezultatet e Abdixhikut në zgjedhje dhe tha se Kuvendi i Punës është dashur të merret me këtë.
“Unë Abdixhikun e njoh mirë sepse e njoh prej kur ka qenë student. Abdixhiku është punëtor i mirë. Është punëtor i zellshëm, ka qenë student i zellshëm. Më kanë thënë që edhe në LDK në terren ka punuar. Nuk është që s’ka punuar. Mirëpo problemi është se sa puna jote bën punë. Sa aktiviteti yt shprehet pastaj në rezultatet e partisë. Atë çështje është dashur vetë ta vlerësojë Abdixhiku dhe ta vlerësojnë organet e LDK-së. Për mua është nën çdo nivel që unë them tash se është dashur të shkojë, sepse në asnjë rast… Po në qoftë se kthehet aty ku ka qenë, aty ku e ka marrë, domethënë është, duhet të ulet edhe të analizojë pse, edhe të analizojë ai vetë të shohë se çfarë mund të bëjë”, tha Mustafa.
“Ai pati thënë që pas rezultateve të LDK-së në vitin 2021, ku ne ramë rreth 13%, LDK-ja e lexoi drejt zërin e qytetarit. Nuk tha e lexoi drejt zërin e Kuvendit, por zërin e qytetarit dhe pastaj unë edhe bashkëpunëtorët e mi e kuptuam se duhet të bëhen ndryshime… Unë s’mund të them këtu se është dashur të jap dorëheqje apo s’është dashur, mirëpo është dashur të mat fjalët para se të flasë, të flenjë një natë, të pushojë pak, të konsultohet me bashkëpunëtorët… Unë mendoj që edhe Kuvendi është dashur të merret me rezultatin, mos të merret me Abdixhikun. Domethënë, të merret me rezultatin e LDK-së, të vlerësojë se a është ai rezultat ai që i nevojitet dhe ai që është i duhur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i shërbejë ndryshimeve në Kosovë”, shtoi ai.
Mustafa e kritikoi edhe Ukë Rugovën, të birin e presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, kjo pasi ai e quajti Vjosa Osmanin rugoviste.
‘’Ukë Rugova mas pari duhet me sqaru çka është Rugovizmi. A është sjellja e zonjës Osmani sjellje e Ibrahim Rugovës? Unë them se jo. Tash në qoftëse Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, thotë se është rugoviste, atëherë pse rugovistja e Ukë Rugovës e shkatërroi LDK? Pse? Cila ishte arsyeja e saj që ta shkatërroi LDK’në, dhe ta çoj LDK’në në VV.”, tha Mustafa.
E, krejt këto kritika nuk i kanë pëlqyer Abdixhikut i cili një javë më parë bëri thirrje për bashkim të gjithë atyre që janë larguar ose dëshpëruar nga LDK-ja.
“Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj.”, shkroi ndër të tjera në postimin e tij Abdixhiku, duke e përmbyllur me një fjali injoruese ndaj Mustafës, “Kemi punë të mençura”./lajmi.net/