Një fillim i ri për Greqinë dhe Evropën

Greqia urgjentisht duhet t’i mendojë gjërat më qartë. Arsyeja e vetme pse vendi nuk ka falimentuar nga borxhet e mëdha, është se Banka Qendrore Evropiane po vazhdon ti sigurojë fonde Bankës Qendrore greke përmes skemës së ndihmës emergjente të likuiditetit (ELA).

Opinion

24/06/2015 20:25

Nga ana tjetër, banka qendrore greke, u jep para bankave komerciale të vendit, të cilat ato ua shpërndajnë qytetarëve grekë dhe kreditorëve të huaj. Problemi qëndron se dy grupet e huamarrësve kanë transferuar shuma të mëdha parash në vende të tjera.

Si rezultat i kësaj, deficiti kreditor në bankën qendrore greke është rritur për afro 1 miliardë euro gjatë këtyre muajve të fundit. Nëse Greqia nuk arrin të kthej borxhet dhe të largohet nga eurozona, këto deficite nuk do të paguhen.

Financimi i ELA supozon se ekonomia greke është përkohësisht jo-likuide, por jo edhe e paaftë të paguajë borxhet. Ky supozim është qartazi i pavërtetë. Përkundër dhimbjes së madhe që Greqia ka përjetuar, një rënie prej 30 për qind e kërkesave agregate që nga kulmimi i fundi ciklik dhe rritja e papunësisë në më shumë se 25 për qind të fuqisë punëtore, ekonomia greke ende nuk është as afërisht konkurruese dhe e gatshme të shlyej borxhet e saj.

Njëra prej arsyeve është se korrupsioni ka mbetur në nivel të lartë, dhe kapacitetet administrative për të vënë taksa kanë mbetur mjerisht të kufizuara. Ndërkohë, që familjet greke me të ardhura të vogla kanë bartur barrën e kursimit. Me pak fjalë, rrëmuja po vazhdon.

Por duke lejuar Greqinë të shlyej borxhin dhe të vazhdoj të mbetet në eurozonë nuk është një opsion: kjo do të sinjalizonte se vendet e tjera të eurozonës mund të grumbullojnë borxhe të mëdha, duke u financuar ngas Banka Qendrore Evropiane, pa pasur për qëllim shlyerjen e tyre. Dhe përgjegjësia fiskale në eurozonë do të minohej në mënyrë fatale.

a

Megjithatë, duke detyruar Greqinë të dalë nga eurozona kundër vullnetit të saj për shkak të borxheve të mëdha, nuk është një opsion: kjo do të zhyste vendin në destabilitet ekonomik, social dhe politik, dhe kjo pa dyshim se do të kishte pasoja serioze përtej kufijve të vendit.

Sipas gjykimit tim, ekzistojnë vetëm dy opsione të mundshme të mbetura. E para dhe sigurisht se më e dëshirueshmja, është që BQE të vlerësojë realisht mungesën e aftësisë paguese të Greqisë, dhe të ndalojë sigurimin e fondeve nga ELA në sistemin e saj bankar. Kjo do të nxiste një krizë të pagesës për Greqinë. Por duke njohur fatkeqësinë e afërt, Greqia vërtetë do të duhej të angazhonte veten në reformat strukturore që edhe janë interesat e saja afatgjate: rritja e fleksibilitetit të tregut të punës, shitja e ndërmarrjeve shtetërore që shumica e vendeve tjera evropiane i kanë vendosur tashmë në duar të sektorit privat, duke shpenzuar më pak në burokraci të sektorit publik.

Në të njëjtën kohë, Greqia do të sigurohej se këto reforma nuk do të dëmtojnë të varfrin duke futur politika aktive të tregut të punës (si subvencionet për të trajnuar dhe punësuar të papunë në një afat më të gjatë). Për më tepër, Greqia do të angazhohej që vetes ti zbatojë një plan fiskal, duke specifikuar raportin afatgjatë të borxhit kombëtar ndaj GDP-së, shkallë e konvergjencës në këtë raport.

Kjo është e gjithë ajo çfarë duhet të bëjë Greqia. Në kthim kreditorët e saj do të bien dakord për një borxh tjetër, që do të jetë i mjaftueshëm për ti mundësuar Greqisë të shlyej borxhet e saj në të ardhmen, por mjaftueshëm i vogël për të shmangur transferet e panevojshme të kreditit. Greqia do të mbetej brenda eurozonës, duke humbur një pjesë të sovranitetit të saj fiskal dhe strukturor.

Nëse opsioni i parë nuk merret parasysh, sipas gjitha gjasave loja aktuale e politikës do ta lë Greqinë të bankrotuar. Por ky fakt mund të përgatisë terrenin për opsionin e dytë, që do ta quaja, “programi i fillimit të ri”.

Sipas këtij programi, vende kreditore do të shlyenin borxhet e Greqisë, me kusht që vendi të largohet vullnetarisht nga eurozona. Kjo do ti jepte Greqisë mundësinë të fillojë nga e para jashtë bashkimit monetar: kjo do të mund të ristrukturonte ekonominë e saj pa një ndërhyrje nga jashtë, dhe do të bëhej gati për një ri-hyrje në eurozonë më vonë me kushte të reja, por kësaj here pa pretekste të rreme statistikore apo joreale.

Një mundësi e tillë do ti lejonte qeverisë greke të krijojë një fillim të ri në nxitjen e konkurrencës, luftës kundër korrupsionit, dhe ndryshe ndërtimin e një bazë për rritjen afatgjatë. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por nuk do të jetë më një proces që Greqia e ka konsideruar si poshtërues.

Opsioni i dytë do të jetë më pak i dëshirueshëm sesa i pari. Pasiguritë spekulative lidhur me një “Grexit” mund të kërcënojë ekonomitë e tjera të eurozonës (për shembull, Qipron dhe Portugalinë), derisa Greqia me një dhrahmi të zhvlerësuar, do të përjetojë dhimbjen e shtrenjtë të importit të mallrave kapitale që duhen gjeneruar në një bazë të gjerë të punëve me paga të larta.

Por opsioni i dytë do të jetë gjithashtu një fillim i ri për gjithë eurozonën. Shtetet e saja anëtare, do të pranonin se bashkimi monetar është i pamundur pa koordinimin fiskal dhe strukturor. Nevoja për koordinimin minimal fiskal do të përfshinte automatikisht planet kombëtare, të formuluara nga çdo qeveri.

(Lajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate)