Një e treta e pompave të benzinës në Kosovë janë pa licencë (Video)

Në Kosovë, prej 272 pikave të shitjes së karburantit, 34 për qind e tyre nuk kanë licencë.

Lajme

10/02/2015 14:08

Kështu bëri të ditur ministrja për Tregti dhe Industri, Hykmete Bajrami, në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri.

Ajo i ka dërguar këtij komisioni një informatë më shkrim, lidhur me tregun e naftës dhe derivateve të saj, strukturën e çmimit, lëvizjen e çmimit dhe sigurimin e cilësisë.

“Deri më tani janë evidentuar 275 pika të shitjes së dizelit, benzinës dhe gazit të lëngëzuar të naftës. Prej tyre, 52 pika (19%) janë jashtë funksionit. Prej 2015 pikave të shitjes, 66% janë me licencë valide, ndërsa 34% nuk kanë licencë për shitje me pakicë të dizelit dhe benzinës. Inspektorati i Tregut në MTI që nga sot do të fillojë me mbylljen e pikave që nuk posedojnë licencë valide për operim”.

Ministrja Bajrami tha se MTI ka kapacitete të limituara për të vërë analizat e naftës, pasi që vet ministria nuk ka laboratorë kimikë.

“Ne kemi kapacitete të limituara, nuk kemi laboratorë kimik për të bërë analizat e naftës në kuadër të MTI-së, dhe kjo na ka hendikepuar në masë të madhe që të bëjmë kontrollimin e naftës në masë të madhe”.

“MTI ka autorizuar katër kompani private si trupa inspektuese të cilat bëjnë leximin e certifikatave në zonat doganore dhe kemi pasur të autorizuara pesë laboratore, ndërsa tani i kemi tre, të cilat bëjnë analiza”.

“Trupat inspektuese bëjnë kontrollin, njohjen e certifikatave në zonat doganore, dhe në momentet kur këto certifikata janë të lëshuara nga laboratorët e akredituar, ata vetëm bëjnë pranimin dhe përshkrimin e tyre. Mandej inspektorët doganor janë të obliguar që t’i pranojnë certifikata të tilla”.

“Në rastet kur certifikatat nuk janë të njohura për trupat inspektuese dhe vijnë nga laboratorët të cilët nuk janë të akredituar, atëherë trupat inspektuese obligohen sipas udhëzimit administrativ që t’i marrin mostrat dhe t’i dërgojnë për analizë në laborator. Në rast se analiza e naftës del pozitive, atëherë çmimin për analizën e paguan trupa inspektuese. Në rast se del nafta e kualitetit të dobët atëherë e paguan importuesi”, tha Bajrami. (lajmi.net)