I hynë pa autorizim në zyrë dorëhiqet drejtoresha e buxhetit në Gjilan, Hyseni: Askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme

Herolinda Murati- Leka, ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e drejtoreshës për Buxhet dhe Financa në komunën e Gjilanit. Ngjarja ndodhi një ditë pasi zyra e saj dyshohet se aktivistët e Vetëvendosjes i hynë pa autorizim në zyrë. Kështu të paktën pretendoi kryetari i degës së PDK-së në këtë qytet, Riad Rashiti. “Skandali i fundit…

Lajme

10/03/2025 20:58

Herolinda Murati- Leka, ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e drejtoreshës për Buxhet dhe Financa në komunën e Gjilanit.

Ngjarja ndodhi një ditë pasi zyra e saj dyshohet se aktivistët e Vetëvendosjes i hynë pa autorizim në zyrë.

Kështu të paktën pretendoi kryetari i degës së PDK-së në këtë qytet, Riad Rashiti.

“Skandali i fundit i jashtëzakonshëm është se drejtoreshës së buxhetit në Gjilan, aktivistët e VV-së (familjar të një asambleisti të VV-së) ia kanë ndërruar cilindrin zyrës së saj apo kanë bërë kopjimin e çelësit, duke ndërhyrë dhe patur qasje pa leje në zyren e saj, kur ajo nuk ka qenë prezent në punë. E për këtë rast drejtoresha e buxhetit dhe financave ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila tashmë është duke e bërë punën e vet të hetimeve”, kishte shkruar ai ndër të tjera në Facebook.

Për këtë ka reaguar edhe i pari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni i cili ka thënë se organet janë njoftuar dhe po trajtojnë këtë çështje.

“Unë refuzoj që të komunikoj me gjuhën e njejtë, sepse besoj te faktet dhe te e vërteta të cilën e kanë parasysh të gjitha palët, pavarësisht se si e proklamojnë”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se komuna do të vazhdojë të funksionojë me transparencë dhe profesionalizëm. Teksa shprehet se askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme, “e aq më pak ndonjë aktivist i Lëvizjes”.

“Përgjatë javëve të fundit, fokusi im kryesor ka qenë siguria e një menaxhimi të drejtë dhe të përgjegjshëm të buxhetit komunal, i cili tashmë është votuar dhe do të shërbejë për të përmbushur nevojat dhe prioritetet e qytetarëve tanë. Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar për të vepruar me integritet, duke garantuar llogaridhënie dhe qeverisje të mirë për të gjithë qytetarët”, shkroi i pari i Gjilanit. /Lajmi.net/