Një ditë para se të përfundoj afati për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë, edhe 901 prej tyre nuk e kanë filluar ende

Procesi i deklarimit të pasurisë të zyrtarëve publik, realizohet çdo vit nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, afati për deklarimin e pasurisë ka filluar më 1 mars dhe do të përfundoj më 31 mars, shkruan lajmi.net. Tanimë që ka mbetur vetëm edhe një ditë kohë për të deklaruar…

Lajme

30/03/2026 19:30

Procesi i deklarimit të pasurisë të zyrtarëve publik, realizohet çdo vit nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, afati për deklarimin e pasurisë ka filluar më 1 mars dhe do të përfundoj më 31 mars, shkruan lajmi.net.

Tanimë që ka mbetur vetëm edhe një ditë kohë për të deklaruar pasurinë, APK në një përgjigje me shkrim për lajmi.net ka treguar se sa nga zyrtarët publikë e kanë kryer këtë obligim ligjor.

“Procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 (1 janar – 31 dhjetor 2025) është duke vijuar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore, ndërsa rikujtojmë se afati për përmbylljen e këtij procesi është 31 mars 2026. Sipas të dhënave të përditësuara sot pasdite, gjithsej 8276 zyrtarë publikë, apo 79.79%, e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë”, kanë thënë nga APK. 

Pavarësisht zyrtarëve që e kanë kryer këtë obligim, një numër i konsiderueshëm i tyre ende nuk e kanë bërë atë.

Sipas APK-së, edhe 1 mijë e 195 zyrtarë publik nuk e kanë përfunduar këtë obligim por e kanë filluar atë dhe janë në proces të deklarimit, ndërsa 901 zyrtarë publikë nuk e kanë filluar ende.

Lajmi.net ka pyetur APK-në nëse do të ketë një afat shtesë që këta zyrtarë të kryejnë procesin e deklarimit të pasurisë, e për këtë APK ka thënë jo.

“Siç e theksuam më lartë afati ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë përfundon më 31 mars 2026 dhe korniza ligjore që rregullon këtë proces dhe punën e APK-së nuk parasheh ndonjë afat shtesë për përmbushjen e këtij obligimi pa pasoja juridike”, kanë thënë nga APK. 

Ata kanë thënë se pas 31% marsit, Agjencia, në përputhje me kompetencat ligjore, do të ndërmarrë veprimet përkatëse ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin, duke përfshirë shqiptimin e gjobave për vonesë në deklarim, të cilat janë në vlerë prej 30% të pagës mujore.

“Në rastet kur obligimi nuk përmbushet edhe pas masave administrative, Agjencia procedon me hapat e mëtejmë ligjorë, përfshirë përgatitjen e kallëzimeve penale për organet kompetente – prokurori”, thuhet në përgjigje. 

Pas deklarimit të pasurisë, këto të dhëna janë publike për qytetarët dhe publikohen në ueb-faqen zyrtare të APK-së.

APK për lajmi.net ka thënë se publikimi i këtyre të dhënave do të bëhet rreth 30 ditë pas përfundimit të procesit të deklarimit.

“Në funksion të rritjes së transparencës dhe efikasitetit institucional, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, synon që publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë ta realizojë brenda një periudhe rreth 30 ditë pas përfundimit të procesit të deklarimit. APK falënderon qytetarët, mediat dhe të gjitha palët e interesuara për vëmendjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij procesi me rëndësi të veçantë për transparencën, integritetin publik dhe llogaridhënien”, thuhet në përgjigje.

Procesi i deklarimit të pasurisë, sipas vlerësimit të APK-së ka qenë i rregullt dhe pa telashe. /Lajmi.net/