​Një 24-vjeçare humb jetën në një vetaksident në Komoran, tre persona të tjerë lëndohen

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, ku një 24-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur…

Lajme

21/07/2026 10:31

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, ku një 24-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:30 dhe bëhet fjalë për një vetaksident.

“Sot, rreth orës 05:30, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, është shkaktuar një aksident trafiku me pasoja fatale. Si pasojë e aksidentit (vetaksident), një person ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, deklaroi Hoxha.

Tre personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor dhe, sipas informacioneve të para, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë e Hetimeve të Trafikut, ekipet emergjente dhe njësitë e tjera kompetente, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.