Nitaj kërkon dorëheqjen e Ministrit Buja
Muharrem Nitaj ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit Ramë Buja. Ai i ka dërguar një letër Ministrit të Arsimit, duke e fajësuar atë për gjendjen e krijuar në Universitetin Publik të Prishtinës.
Lajme
Muharrem Nitaj ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Arsimit, Ramë Buja.
Ish Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, përmes një letër drejtuar Ministrit Ramë Buja, ka kërkuar nga ai që të heqë dorë nga kjo pozitë, duke e fajësuar atë si përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar në UP.
Letra e drejtuar Ministrit Buja nga Muharrem Nitaj:
I nderuari ministër Buja, vendimi i juaj i fundit që të emëroni katër anëtarë të ri të Këshillit Drejtues të UP-së, nuk mund ta rikthejë normalitetin në këtë institucion, sepse është përpjekje dëshpëruese për të mbuluar dështimin e sistemit në UP, dhe ju e dini shumë mirë këtë, siç edhe besoj ta dini se kjo është tradhti për katër prej nesh që u sakrifikuam për UP-në, që Universiteti të shpëtohej me masa të jashtëzakonshme, e jo që ju të bënit akrobacione për ta shpëtuar vetën tuaj.
Juve ju ka obliguar ligji dhe Parlamenti që në UP të vendosni masa të jashtëzakonshme e jo talleni me të!
Situata e krijuar në UP dhe bllokada totale e këtij institucioni që nga 1 shkurti i këtij viti, ka qenë rezultat i një skenari të bashkërenduar mirë ndërmjet një blloku të fuqishëm brenda UP-së dhe protestave të dyshimta të rrugës, tashmë të cilësuara si politike, si dhe e një mosgatishmërie totale të shtetit për ta mbrojtur institucionin, ku përgjegjësinë më të madhe e keni Ju zoti ministër.
Fakti qe Rektori Ibrahim Gashi ishte zënë në piramidën e “manipulimit akademik”, ka qenë vetëm pretekst, ndërkohë që arsyet kanë qenë shumë më të thella.
Në piramidën e “krimit akademik” në Universitetin e Prishtinës, janë të ngujuar më tepër se 80 për qind e profesorëve të UP-së, dhe së paku gjysma e atyre që sot kanë poste drejtuese në gjitha strukturat e tij.
Sipas përgjegjësisë morale, nga ky institucion do të duhej të jepnin dorëheqje, së paku gjysma e dekanëve të njësive akademike, të cilët janë pjesë e “krimit akademik” dhe që kanë marrë grada duke mos i respektuar kriteret e kërkuara, apo të cilët kanë qenë të përfshirë në forma të ndryshme në manipulimet që janë bërë me vite në këtë institucion.
Në Universitetin e Prishtinës do të duhej t’i shkohej deri në fund zbardhjes së abuzimeve me titujt shkencorë, plagjiaturave nga të cilat sot dridhën edhe profesorë “eminentë” dhe t’i shkohej deri në fund hetimit për abuzimet në vazhdimësi me regjistrimin e studentëve, pranimin e stafit akademik dhe menaxhimit e parasë publike.
Dorëheqja ime nga pozita e Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së, pa e pasur as edhe përgjegjësinë më të vogël për gjendjen e krijuar, por përkundrazi duke qenë promotor i atyre pak ndryshimeve pozitive që janë bërë në Universitet, është bërë me qëllim që t’i hapet rruga e vendosjes së masave të jashtëzakonshme në UP sepse gjendja ishte e tille dhe e tillë ishte cilësuar edhe nga shteti edhe nga mileti, e jo që ju zoti Ministër, duke bërë shkelje të reja në këtë institucion, të provoni që me arnime ta shpëtonit Universitetin dhe veten tuaj!
Rekomandimi që Ju zoti ministër i kishit bërë Senatit të UP-së, që ai ta zgjidhte rektorin e ri, ishte jo vetëm përzierje flagrante në autonominë e Universitetit, por edhe shkelje e rëndë e ligjit, sepse kompetencat e Senatit në asnjë situatë të krijuar nuk mund të mbërrinin deri aty.