NISMA, parti e të zhgënjyerve me gjendjen në vend

NISMA për Kosovën sot e themeloi Këshillin inicues në qytetin e Istogut, ku u mbajt edhe një tubim në të cilin ishte i pranishëm një numër shumë i madh i qytetarëve.

Lajme

20/05/2014 21:50

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi tha se “ka ardhur koha që në Kosovë të kemi një lëvizje qytetare, ku mbrohet shteti i së drejtës”, raporton KosovaPress.

“Mendoj që kemi shumë arsye që u nisëm pasi që 15 vjet ne kemi pritur një shtet që mendon për qytetarët, kemi pritur një zhvillim ndryshe të Kosovës, një përgjegjësi më të madhe. Këta që sot na kanë sjellë këtu, nuk kanë arritur dhe nuk kanë pasur kujdes që të krijojnë politika të favorshme fiskale, dhe tani ka ardhur koha që duhet të bëhet një ndryshim dhe Nisma është e vetmja që mund ti marr përgjegjësitë për ta ndryshuar këtë vend”.

Kryetari i kësaj partie të re, Fatmir Limaj tha se më 8 qershor qytetarët do ta kenë rastin për ta ndryshuar gjendjen në vend.

“Koha është që ju të vendosni se çfarë do të ndodhë për katër vitet e ardhshme. Nismën dhe ne sot na bashkojnë personat të cilët janë të zhgënjyer me gjendjen në vend, dhe nuk kanë pasur mundësi që ta tregojnë veten se çfarë mund ti japin vendit. Nisma po sjell diçka të re që nuk ka qenë deri sot dhe ajo është qe i kalon kufijtë partiak, pavarësisht ku kemi qenë dje”, tha Limaj.

Kandidati për deputet në qytetin e Istogut, Musa Fetahu tha se Nisma duhet të votohet sepse në frymën dhe idealin e saj e ka zhvillimin e vendit.