Nisma i lë derën hapur VV-së për koalicion: S’e kishim prioritet nënkryetarin, jemi të hapur për marrëveshje politike
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se partia e Fatmir Limajt ka qenë gjithmonë e përkushtuar për zgjidhjen e ngërçit politik. Në një prononcim për Indeksonline, ajo ka komentuar edhe deklaratat e kryetares së “Alternativa”-s, Mimoza Kusari-Lila, e cila kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje i kishte ofruar Nismës postin e nënkryetarit të Kuvendit.…

Lajme
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se partia e Fatmir Limajt ka qenë gjithmonë e përkushtuar për zgjidhjen e ngërçit politik.
Në një prononcim për Indeksonline, ajo ka komentuar edhe deklaratat e kryetares së “Alternativa”-s, Mimoza Kusari-Lila, e cila kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje i kishte ofruar Nismës postin e nënkryetarit të Kuvendit.
“Fatkeqësisht, nuk u arrit të krijohet një shumicë parlamentare, ndonëse ne kemi qenë të hapur për dialog dhe kompromis. Nisma nuk ka kërkuar dramë të re politike, duke e shtyrë vendin në zgjedhje të parakohshme, por ka insistuar në konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Nëse do të kishte ekzistuar një shumicë prej 58 deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje, ne do të ishim ulur sërish në tavolinë – pa kushte dhe pa paragjykime. Por kjo nuk ka qenë e mundur deri tani,” është shprehur Izmaku.
Sa i përket deklaratës së Kusari-Lila, deputetja e Nismës theksoi se s’kishte interesim për nënkryetarin, por për marrëveshje funksionale.
“Për Nismën, nuk ka qenë prioritet posti i nënkryetarit apo ndonjë funksion tjetër. Në kontekst të kësaj, ne u jemi përmbajtur rregullave dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Për ne, prioritet ka qenë stabiliteti institucional dhe respektimi i votës së qytetarëve. Nisma mbetet e hapur për çdo marrëveshje politike që garanton shumicë të qëndrueshme dhe qeverisje funksionale. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë zgjidhja e vetme mbetet kthimi tek qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.”
Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar mbrëmë, në një emision televiziv, se Nisma Socialdemokrate ka refuzuar propozimin për të pasur nënkryetar të Kuvendit:
“Partia Nisma Socialdemokrate ka refuzuar të propozojë një emër për nënkryetar të Kuvendit. Oferta ka qenë që të propozojnë një përfaqësues, bazuar edhe në Rregulloren e Kuvendit, e cila parashikon se nëse kryetari i Kuvendit është burrë, atëherë nënkryetari i parë duhet të jetë i gjinisë tjetër – dhe anasjelltas. Pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar, Nisma nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për të propozuar njërën nga dy deputetet e saj për pozitën e nënkryetares,” ka thënë Kusari-Lila.