Nisin patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë në territorin shqiptar

Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar kanë nisur nga sot patrullimet e përbashkëta në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy policive. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky angazhim i përbashkët synon forcimin e bashkëpunimit profesional, rritjen e sigurisë rrugore dhe ofrimin e një shërbimi…

Lajme

01/07/2026 13:17

Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar kanë nisur nga sot patrullimet e përbashkëta në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy policive.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky angazhim i përbashkët synon forcimin e bashkëpunimit profesional, rritjen e sigurisë rrugore dhe ofrimin e një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe të gjithë përdoruesit e rrugëve, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur qarkullimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë rritet ndjeshëm.

Patrullimet do të realizohen në koordinim të ngushtë ndërmjet dy institucioneve policore, duke reflektuar partneritetin e ndërtuar ndër vite dhe angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë publike, parandalimin e aksidenteve në trafik dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia e Kosovës thekson se e vlerëson lart bashkëpunimin me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe mbetet e përkushtuar në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve.

Njëkohësisht, autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit dhe të kontribuojnë në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë. /Lajmi.net/