Nis shërbimi për herë të parë i Laboratorit të Toksikologjisë në QKUK

Për herë të parë në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ka filluar shërbimin Laboratori i Toksikologjisë, i cili është funksionalizuar më datë 20 tetor 2025 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Siç njofton ShSKUK në Facebook, ky shërbim paraqet një arritje të rëndësishme në zhvillimin e kapaciteteve diagnostike dhe…

Lajme

06/11/2025 11:27

Për herë të parë në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ka filluar shërbimin Laboratori i Toksikologjisë, i cili është funksionalizuar më datë 20 tetor 2025 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Siç njofton ShSKUK në Facebook, ky shërbim paraqet një arritje të rëndësishme në zhvillimin e kapaciteteve diagnostike dhe laboratorike të QKUK-së, duke shënuar fillimin e fazës operative të analizave toksikologjike në vend.

“Që nga funksionalizimi, Laboratori i Toksikologjisë ka zhvilluar me sukses aktivitetet e para diagnostike dhe monitoruese, duke validuar 9 parametra analitikë dhe duke përcaktuar 86 parametra në total, që mbulojnë fushat e monitorimit terapeutik të barnave (TDM) dhe detektimit të substancave abuzive (DOA)”, shkruan ShSKUK-ja.

Pacientët për analiza toksikologjike siç thuhet, janë referuar nga disa klinika të QKUK-së, përfshirë Klinikën e Psikiatrisë, Klinikën e Emergjencës, Klinikën e Neurologjisë, si dhe Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

“Në kuadër të planifikimeve për vitin 2026, Shërbimi i Toksikologjisë synon të zgjerojgamën e parametrave analitikë dhe testimeve toksikologjike, duke përfshirë përmirësimin e kapaciteteve laboratorike dhe trajnimin e stafit, si dhe avancimin e infrastrukturës laboratorike dhe kapaciteteve analitike”.