Nis rishtazi gjykimi për krime lufte në Ozdrim të Pejës, deklarohet sërish i pafajshëm Gjokoviq
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka nisur rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat tjera të Pejës, Millorad Gjokoviq. I akuzuari u deklarua sërish i pafajshëm. Gjykimi filloi rishtazi për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues. Kështu, për shkak të avancimit të anëtarit të trupit gjykues Arben…
Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka nisur rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat tjera të Pejës, Millorad Gjokoviq. I akuzuari u deklarua sërish i pafajshëm.
Gjykimi filloi rishtazi për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues. Kështu, për shkak të avancimit të anëtarit të trupit gjykues Arben Hoti në Gjykatën e Apeli, ai u zëvendësua me gjykatësin Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Donikë Shala-Abdyli konstatoi se gjykimi duhet të fillojë rishtazi, më pas i akuzuari deklaroi se ndihet i pafajshëm.
Më tutje, me pajtimin e palëve në procedurë- përfshirë prokurorit special, Iliri Morina dhe palëve të dëmtuara, mbrojtësit të të akuzuarit, Dejan Vasiq dhe vetë të akuzuarit Gjokoviq, u konstatuan si të lexuara fjala e dhënë hyrëse e dhënë më parë dhe dëshmitë e dëshmitarëve që janë dëgjuar në gjykatë.
Në mungesë të dëshmitares Hajrije Krasniqi, trupi gjykues ndërpreu seancën, duke njoftuar se adresa e dëshmitares ka qenë e panjohur, Gjykatësja Shala-Abdyli tha se do të bëhet verifikimi i adresës së dëshmitares Krasniqi, pastaj do t’i dërgohet ftesa për dëshmi.
Paraprakisht, me të filluar gjykimi, i akuzuari Gjokoviq kërkoi nga gjykata të pajiset me procesverbalet e seancave të kaluara, duke thënë se nuk ka marrë 18 procesverbale.
“Diku rreth 18 procesverbale të vitit të kaluar nuk i kam pranuar”, tha Gjokoviq.
Më pas, gjykatësja kërkoi të dinte nëse mbrojtësi i tij i ka, por i akuzuari Gjokoviq tha se dëshiron që edhe ai përveç mbrojtësit t’i ketë procesverbalet.
Ndryshe, ky rast kryesohej nga gjykatësi Valon Kurtaj, mirëpo edhe ai ishte avancuar për në Gjykatën e Apelit në muajin nëntor, për çka lënda kishte kaluar për kryesim tek gjykatësja Shala-Abdyli.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.