Nis punën Këshilli Nacional për Sistemin e Informimit Shëndetësor të Kosovës
Nën kryesimin e ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, sot ka filluar punën Këshilli Nacional për Sistemin e Informimit Shëndetësor.
Lajme
Ky këshill është trup ndërinstitucional, që për qëllim ka implementimin e Strategjisë së Informimit Shëndetësor si dhe funksionalizimin e këtij sistemi.
Ministri Rrahmani tha se implementimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor është një nga objektivat kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë fazë të reformës shëndetësore, në të cilën të dhënat e bazuara në evidencë dhe të integruara janë më se të nevojshme dhe kusht për zhvillimin e politikave të drejta në sektorin shëndetësor.
Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Gani Shabani, i cili është zëvendës-kryesues i Këshillit, theksoi rëndësinë e ecjes sa më të shpejtë me zbatimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor, meqë, siç tha ai, kërkohet një dinamikë shumë më e madhe në këtë drejtim.
Anëtarët e këtij Këshilli ndërinstitucional të cilët janë nga institucione të ndryshme, në këtë takim u njohën nga Drejtori i Departamentit të Sistemit të Informimit Shëndetësor në MSh, Xhevat Ukaj me aspektet e zhvilluara deri më tani të këtij sistemi, sikurse edhe me pilot projektet që do të fillojnë së zbatuari në Prishtinë (QKMF), Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në Rajonin e Prizrenit (Prizren, Suharekë, Dragash, Malishevë, Mamushë, Rahovec).
Në këtë takim u bë e ditur se deri tash janë zhvilluar moduli i menaxhimit të stokut farmaceutik përmes SISH-it, sistemi për menaxhimin e resurseve humane, sistemi për evidencimin e statistikave shëndetësore, sistemi për Departamentin e Shëndetësisë në burgje, ueb aplikacioni për monitorimin e punëtorëve shëndetësor të institucioneve private shëndetësore dhe aplikacioni në ueb për licencimin e institucioneve private shëndetësore.
Anëtarët e Këshillit kanë pranuar edhe draft -Rregulloren e punës së këtij këshilli, të cilin do ta miratojnë në takimin e radhës, ndërkohë që një nga detyrat e para të Këshillit do të jetë përgatitja e një Plani të ri të Veprimit në Harmoni me Strategjinë e re Sektoriale Shëndetësore dhe dokumentet relevante për sektorin shëndetësor.