Nis numërimi – Edhe tetë ditë kohë për presidentin, çka pritet tutje?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur konsultimet me liderët e partive kryesore opozitare për të gjetur një zgjidhje lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, teksa afati kushtetues po afrohet dhe kanë mbetur edhe tetë ditë. Fillimisht, Kurti u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, ndërsa një ditë më pas zhvilloi takim edhe…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur konsultimet me liderët e partive kryesore opozitare për të gjetur një zgjidhje lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, teksa afati kushtetues po afrohet dhe kanë mbetur edhe tetë ditë.
Fillimisht, Kurti u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, ndërsa një ditë më pas zhvilloi takim edhe me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas deklarimeve publike, në të dyja takimet është diskutuar mundësia e arritjes së një marrëveshjeje politike që do të shmangte vendin nga zgjedhjet e reja parlamentare.
Kurti ka theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga tri partitë më të mëdha në vend – Vetëvendosje, PDK dhe LDK – duke lënë të kuptohet se pa një dakordim mes tyre, procesi mund të dështojë. Ai ka bërë të qartë gjithashtu se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të dytë, nuk është kandidatja e tij për postin e presidentit.
Pas takimeve, Kurti deklaroi se do të intensifikojë bisedimet në ditët në vijim, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja në vitin 2026. Ai pranoi se aritmetika parlamentare është sfiduese dhe se as një marrëveshje vetëm mes Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk garanton zgjidhje të sigurt.
Nga ana tjetër, Bedri Hamza u shpreh se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha forcave politike. Ai theksoi se PDK-ja nuk do të bëhet pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.
Ndërkohë, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se në takim janë shqyrtuar dy skenarë: arritja e një konsensusi të gjerë politik brenda afatit të mbetur, ose një marrëveshje klasike politike mes partive. Në të dyja rastet, për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend.
Mandati i presidentes Osmani përfundon në fillim të prillit, ndërsa sipas afateve kushtetuese, presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 4 mars. Në dy raundet e para kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Çdo kandidat duhet të sigurojë paraprakisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.