Nis në korrik gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 20 korrik 2026 pritet të mbahet seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut. Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë,…
Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 20 korrik 2026 pritet të mbahet seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut.
Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999.
“Të pandehurit O.S.,R. M., K.J., G. R., Ž.T., B. J., M. L., R. M., D. DJ., B.M., D. J., M. Š., D. A., S. V. , B. M., Z. S., M. J., G. P., D. N., Č. A. dhe Z. J., akuzohen se gjatë një operacioni të foracve policore serbe, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, kanë vrarë dyzet e dy (42) civilë”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.
Të akuzuarit ngarkohen se si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe si pjesëtarë të MUP-it serb, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
“Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar’’, Armatës III, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si edhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhej në njoftim.
Sipas PSRK-së, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
“Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘’Pishat“, ‘’Gështenjat“ dhe ‘’Çesta“. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan. Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Rreth 20.000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre”, njoftoi PSRK-ja.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në kodin e procedurës penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.