Nis gjykimi ndaj 69 anëtarëve të Agimit të Artë
Në një sallë të posaçme brenda burgut të Korridallosë në Athinë, nisi sot seanca e parë e gjyqit ndaj Agimit të Artë, organizatë politike e ekstremit të djathtë.

Bota
69 persona, përfshirë këtu edhe liderin e Agimit të Artë, Nikos Mihaloliakos, dhe anëtarët e grupit parlamentar të kësaj partie do të dalin para Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila do të përcaktojë nëse Agimi i Artë është një konstrukt nazist, me veprimtari ilegale.
Më pas, ky vendim mund t’u hapë rrugë zhvillimeve të reja politike nëse partia shpallet e paligjshme.
“Ekathimerini” shkruan se, mbi 100 avokatë mbrojtës do të shqyrtojnë edhe prova nga rreth 130 dëshmitarë, duke u përgjigjur për akuzat që përmban dosja hetimore prej 700 faqesh, e cila përmbledh veprimtarinë e kësaj organizate dhe provat ndaj saj, të cilat janë shtuar sidomos pas vitit 2012, kur Agimi i Artë hyri për herë të parë në Parlament, transmeton Shekulli.
Deputetët e Agimit të Artë në Parlamentin grek
Në dosjen e hartuar nga zëvendësprokurori i Gjykatës Supreme, Agimi i Artë konsiderohet organizatë aktive kriminale e tipit nazist, që vepron prej vitit 1987 deri më sot me strukturë ushtarake, hierarki dhe degë në të gjithë vendin e udhëhequr nga një lidership që ruan standartet hitleriane.
Veprimtaria e kësaj force u vu në fokusin e organeve greke të drejtësisë, pas vrasjes së muzikantit antifashist Pavlos Fissas nga një neonazist në shtator 2013. Pas ndërhyrjes së ministrit të Drejtësisë nisi një fushatë hetimore e Prokurorisë ndaj sulmeve raciste nga anëtarë të kësaj force në të gjithë Greqinë. Këto çështje do të shqyrtohen në gjyqin që pritet të zgjasë rreth një vit.
Shumë prej anëtarëve u arrestuan dhe qëndruan në burg për 18 muaj, por u liruan para disa ditësh, pasi skadoi afati i paraburgimit. Lideri Nikos Mihaloliakos dhe ndihmësit e tij akuzohen për veprimtari dhe drejtim të një organizate kriminale.