Nis “Ditët e Biznesit” në Gjakovë, Kusari-Lila viziton bizneset
Në Komunën e Gjakovës sot ka filluar aktiviteti “Ditët e Biznesit” që do të zgjas tre ditë dhe do karakterizohet me vizita dhe shkëmbim informatash mes qeverisjes lokale dhe përfaqësuesve të bizneseve që funksionojnë në Komunën e Gjakovës.

Lajme
Me këtë rast, kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila së bashku me bashkëpunëtorë, kanë vizituar disa biznese prodhuese dhe tregtare të Komunës së Gjakovës, ku nga afër kanë diskutuar për problemet aktuale të bizneseve, reformave që po ndërmerr Komuna në përmirësimin e klimës së biznesit, por edhe në përkrahjen e drejtpërdrejte të NVM-ve si angazhim i vazhdueshëm edhe për krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë vizitave në kompanitë “Mabelstil”, “Wear&Go”, “Erina”, “Brovina” dhe “Deva”, si problem kryesor, sipas përfaqësuesve të bizneseve, është mungesa e hapësirave për zgjerim dhe veprimtari të suksesshme, por edhe mungesa e resurseve humane, konkretisht kuadrit profesional.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka njoftuar udhëheqësit e bizneseve që Komuna e Gjakovës është në pritje të vendimit nga Bordi i AKP-së, pë r shfrytëzimin afatgjatë të pronave të ish shoqërive aksionare Metaliku dhe Virgjinia, ku edhe do ndërtohet parku industrial i cili shihet si mundësi reale për zgjerimin dhe ngritjen e kapaciteteve prodhuese në Komunën e Gjakovës.
Gjithashtu, Kryetarja Kusari Lila u shpreh e kënaqur që Komuna e Gjakovës për të dytin vit radhazi vazhdon skemën e granteve për NVM-të, ku shuma e mjeteve e siguruar deri me tani arrin shifrën mbi 180 mijë euro.
Ditët e biznesit do të vazhdojnë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, ku Kryetarja Mimoza Kusari Lila, do vizitojë bizneset tjera që funksionojnë në Komunën e Gjakovës. /KosovaPress