Nipi ia jep dajës tokën e shtetit

Kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, e ka shpërblyer dajën e tij që ia “hijeshoi” qytetin për Vitin e Ri me bredhin më të shëmtuar në Kosovë.

Lajme

24/04/2014 10:27

Mehdi Gjoka, pronar i kompanisë “Fer Petrol” del të jetë më i privilegjuari në këtë komunë pasi që e ka nipin kryetar, shkruan gazeta Tribuna.

Ky i fundit, përveç tenderëve milionësh që ia ka besuar kësaj kompanie, në vitin 2004 ia ka dhënë edhe një parcelë publike në shfrytëzim.

Pronën në të cilën është nderuar një pompë e derivateve, Gjoka e ka futur nën menaxhim pa asnjë konkurrent. Kështu për dhjetë vjet ka fituar të drejtën e pronësisë mbi këtë parcelë.

Burime të gazetës Tribuna kanë treguar se tani kjo kompani ka filluar ta zgjerojë biznesin edhe në tokën që nuk i ka dhënë komuna në shfrytëzim.

Në komunën e Drenasit nuk pranojnë të flasin shumë për lidhjet që ka kryetari dhe pronari i kompanisë. Por, ata pranojnë se kompania “Fer Petrol” e ka marrë parcelën në shfrytëzim pa pasur asnjë konkurrent. Mirëpo ata thonë se këtë e ka merituar.