Nikaj: Konsorciumi Austriako-Amerikan nuk është tërhequr nga Brezovica

Ministri Bernard Nikaj thotë se asnjëri prej katër konsorciumeve të interesuara për Brezovicën nuk është tërhequr nga gara. Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi thotë se Qeveria duhet të krijojë llojllojshëmri të ofertave për investitorët.

Lajme

06/04/2014 19:19

 

Raportimet se konsorciumi Austriako-Amerikan është tërhequr nga tenderi për Brezovicën demantohet nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.

Nikaj ka thënë për RTK, se MTI akoma nuk ka asnjë informatë zyrtare për tërheqjen e ndonjë konsorciumi nga ky projekt.

“Ne nuk e dimë këtë çështje. Ne nuk kemi pasur një informatë zyrtare lidhur me këtë punë”.

“Në momentin kur është afati për të dorëzuar propozimet dhe projektet nga konsorciumet, konsorciumet do të dorëzojnë projektet e tyre e deri atëherë ne nuk mund të komentojmë për procesin, me qenë se nuk kemi një informatë zyrtare lidhur me këtë çështje”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thotë se është e rëndësishme që investitorët të mos tërhiqen për shkak të Qeverisë apo MTI-së. Sipas tij është me rëndësi që Kosova të ketë numër sa më të madh të investitorëve dhe një llojllojshmëri  të ofertave.

“MTI-ja por dhe Qeveria e Kosovës së paku duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet që për fajin e tyre të mos tërhiqen investitorët”.

“Duhet të mbajmë numër sa më të madh të investitorëve, numër sa më të madh të ofertave dhe të kemi një llojllojshmëri të ofertave”, tha Rexhepi për RTK.