Ngrohtores së Gjakovës nuk i dalin llogaritë, furnizohet urgjentisht me biomasë nga njeriu i AAK-së

Në maj të vitit 2021, Gjakova ishte bërë vendi i parë në Kosovë ku filloi testimi për prodhimin e energjisë elektrike nga biomasa, pasi ngrohtorja pas shumë vitesh funksionim me mazut e kishte braktisur këtë lëndë djegëse. Ngrohtorja e Qytetit “Gjakova” Sh.A është ndërmarrje publike -komunale nën autoritetin e Kuvendin të Komunën së Gjakovës si aksionar më 100 për qind të aksioneve. Ngrohtorja është në shërbim të vetëm një pjese të qytetarëve gjakovarë, pasi nuk e mbulon krejt qytetin me rrjet ngrohës.

Lajme

08/02/2022 21:13

Kompanisë nuk po i dalin llogaritë më sistemin e ri ngrohës.

Për të ndezur ngrohtoren u blenë disa tonë me gdhendla druri – biomasë, nëpërmjet një tenderi të hapur, shkruan lajmi.net.

Por më pas, prokurimi i Gjakovës e pa të nevojshme që të bëjë edhe një furnizim tjetër me biomasë, nga kompania “Fenika”, pronar i të cilës është Armend Shabanaj, i cili para dy viteve ishte zgjedhur kryetar i të rinjëve të Aleancës -dega në Gjakovë. Në fushatën e fundit zgjedhore, ai e kishte përkrahur më së shumti kandidatin, Durim Halilaj, i cili më pas është emëruar drejtor i financave.

Fillimisht, ngrohtorja më datë 22 mars 2021, kishte hapur ofertë me procedurë të hapur për “Furnizim me gdhendla të drurit (Biomasë)”. Tenderi ka qenë i ndarë në dy pjesë: Lot I – Furnizim me gdhendla të drurit ( biomase) ku janë kërkuar 3500 ton, dhe Lot II – Furnizim me gdhendla nga mbetjet e hardhive të rrushit – 1000 tonë. Ngrohtorja ka pranuar tri oferta. Më datë 11 qershor është nënshkruar kontrata me  grupin e kompanive “Metë Muriqi B.I” & “Noli Projekt” SH.P.K. & “FENIKSA” SH.P.K. Vlera e përgjithshme ka qenë 348 985,00 euro.

Ngrohtorja e ka parë të nevojshme që të procedojë edhe më një kontratë tjetër, për sezonin ngrohës 2021 -2022.

Më datë 24.12.2021, prokurimi i ngrohtores kishte hapur ofertë me procedurë të hapur për “Furnizim me gdhendla druri-biomase”. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 124 mijë euro dhe kërkoheshin 1250 tonë gdhendla druri. Duke parë që çmimi i vendosur në vlerën e parashikuar të kontratës ishte shumë i ulët për një sasi prej 1250 tonë, ngrohtorja nuk ka pranuar asnjë ofertë. Ndryshe nga oferta e parë që ishte hapur në muajin mars, e që më pas edhe ishte realizuar, në këtë ofertë prokurimi kishte kërkuar edhe disa certifikata të ISO. “Operatori Ekonomik duhet të jetë i pajisur me licenca ISO – ISO 17225-1 2014 – Solid biofuels -Fuel specifications and classes — Part 1 General requirements – ISO 17225-4 2014 – Solid biofuels — Fuel specifications and classes — Part 4 Graded ëood chips – EN 15234-1 2011 – Solid requirements”.

Më 12 janar 2022, prokurimi i ndërmarrjes, ka bërë njoftimin për anulimin e procedurës, më arsyetimin se nuk është pranuar asnjë ofertë.

Dhe më 7 shkurt ka njoftuar se është lidhur kontratë me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë me kompaninë  Tenderi është “FENIKS-” SH.P.K. Pos kësaj kompanie nuk ishte ftuar për ofertë asnjë kompani tjetër.

Derisa vlera e parashikuar e kontratës në tenderin me procedurë të hapur, i cili kishte dështuar, ka qenë 124 mijë euro. Vlera e parashikuar e kontratës me procedurën e negociuar ishte rritur në 160 mijë euro. Por, pas negociatave me kompaninë, ajo është rritur edhe më shumë, fiks në 194 700,00 euro. Më këtë shumë edhe është nënshkruar. Furnizimi do të bëhet për tre muaj, në një sasi prej 1250 tonëve.

Zyrtarët e ngrohtores “Gjakova” nuk kanë dashur të komentojnë faktin se pronari i saj, Armend Shabanaj është pjesë e AAK-së. Kanë thënë se moti i ftohtë i ka detyruar që të procedojnë me tender të negociuar dhe se kjo, sipas tyre, është udhëhequr sipas ligjit.

“Procedura ka vazhduar si e tillë për shkak se ne tenderin e iniciuar me procedure te hapur nuk kemi marre asnjë oferte për furnizim. Për shkak të urgjencës që të mos ndërpritet ngrohja, duke pas parasysh edhe gjendjen e krijuar me energji elektrike kemi vazhduar me procedure te negociuar me një kompani, me furnitorin e mëhershëm, gjithnjë sipas procedurave ligjore, sipas rregullave dhe udhëzuesit operativ për prokurim publik, pika 52.1”, tha për lajmi.net Shqipe Byci, menaxhere e prokurimit në ngrohtoren “Gjakova”. SHA. /Lajmi.net/