Ngrohja me avull nga KEK-u mund të dështojë sivjet
Ngrohja me avullin e KEK-ut për qytetarët e Prishtinës mund të dështojë këtë vit. Kjo për shkak se ngrohtorja Termokos nuk arriti të vendosë softuerin operues në bllokun B1.

Lajme
Derisa KEK-u e kishte ndalur këtë prodhues energjie prej qershorit deri në shtator, kur Termokos do duhej të vendoste softuerin, Ngrohtorja u vonua dhe tash po kërkon të ndalet prodhimi i energjisë, raporton KTV.
Me këto telashe të ndërmarrjes komunale po merren Komuna e Prishtinës dhe Qeveria.
Derisa në KEDS thonë se nëse ndalet prodhimi në B1, duhet importuar rrymë elektrike, turqit kërkojnë që energjinë ta sigurojnë ata që kërkojnë ndaljen e bllokut për 11 ditë, ndryshe krejt Kosova duhet të ketë reduktime.
Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti ndërkohë thotë se bashkë me Qeverinë po mendojnë të japin fonde për import të energjisë elektrike.
Drejtori i shërbimeve të korporatës në KEK përmes postës elektronike ka thënë se bëhet fjalë për miliona humbje apo shumë reduktime.
Ngrohtorja Termokos për çdo dimër i ka shkaktuar telashe të tilla Komunës dhe Qeverisë, raporton KTV.