​Ngritja e çmimeve në Kosovë, Kurti vetëm sa e ‘thellon’ heshtjen

Nuk është vetëm Kuvendi i Kosovës për të cilin aktualisht nuk po mund të arrihet zgjidhje, por ka edhe çështje të tjera të rëndësishme për jetën e qytetarëve për të cilat kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zgjedhur heshtjen. Koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa nuk ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në…

Lajme

10/05/2025 18:04

Nuk është vetëm Kuvendi i Kosovës për të cilin aktualisht nuk po mund të arrihet zgjidhje, por ka edhe çështje të tjera të rëndësishme për jetën e qytetarëve për të cilat kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zgjedhur heshtjen.

Koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa nuk ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe në trembëdhjetë tentime të deritanishme kanë dështuar të bindë partitë e tjera që t’ia japin votat e nevojshme.

Ndërsa zgjidhja e ngërçit politik nuk ka fund edhe gati dy muaj pas certifikimit të rezultateve, Albin Kurti me partinë e tij fituese kanë zgjedhur heshtjen si “mjetin” më të mirë.

Partia e tij së bashku me Guxo e Donika Gërvalla dhe Alternativën e Mimoza Kusari këmbëngulin në zgjedhjen e ish-ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu në formën e votimit të fshehtë me shpresë do të marrin vota. E ndërsa kjo po refuzohet nga PDK-ja, LDK-ja, NISMA e AAK-ja, kjo e fundit ka paralajmëruar dërgimin e mënyrës së votimit të fshehtë për interpretim në Kushtetuese ditën e hënë.

Ndërsa ngërçi politik vazhdon, qytetarët e bizneset nga muaji maj po përballen me rritjen e çmimeve si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji prej 16 për qind, pavarësisht thirrjeve që një gjë e tillë të mos ndodhë, e sa për kujtim, nga ngritja e tarifave të rrymës u përjashtuan katër komunat veriore.

Shporta e rëndur e konsumatorit dhe telashet e bizneseve vendore duket se ka mbetur “jashtë radarit” të Albin Kurtit, i cili nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme duke vazhduar kështu heshtjen e pafund.

Teksa rritja e çmimeve, të cilat po ulin standardin e jetesës, ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati është mburrur vetëm me parashikimet për rritje ekonomike këtë vit të Kosovës sipas institucioneve ndërkombëtare financiare.

KosovaPress ditë më parë kishte raportuar se shtrenjtimi i rrymës për gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve për disa produkte esenciale, përfshirë produktet e bukës dhe kafesë deri në pesëdhjetë për qind.

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar pezullimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe shtyrjen të paktën për një vit të daljes së bizneseve me mbi 50 punëtorë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Kur bëhet fjalë për tregun e lirë të energjisë elektrike, sipas OEK, bizneset kanë marrë ofertat e para që janë mbi dyqind për qind më të larta.

Kjo njëherësh rrezikon falimentimin e qindra bizneseve me mbi 50 punëtorë si pasojë.

Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën do të dorëzojë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë kërkesën me nënshkrime nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për anulimin e vendimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe anulimin e vendimit tjetër për detyrimin e 1300 kompanive për të dalë në tregun e hapur.