Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit që shtiu me armë zjarri në drejtim të autobusit në Pagarushë të Malishevës
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.M. Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet S.M., më datë 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë, Komuna e Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i armatosur me një armë…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.M.
Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet S.M., më datë 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë, Komuna e Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i armatosur me një armë automatike të tipit AK-47, fillimisht ka bllokuar rrugën me traktorin e tij, e më pas ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit që drejtohej nga i dëmtuari V.S., ku pasagjer ishin edhe të dëmtuarit F.K. dhe H.K.
“Sipas aktakuzës, nga të shtënat janë goditur disa pjesë të autobusit, duke rrezikuar jetën e të dëmtuarve. Megjithatë, fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime trupore. Gjithashtu i pandehuri me inicialet S.M., ka poseduar pa autorizim armën automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Arma dhe municioni janë sekuestruar në vendin e ngjarjes”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Sipas Prokurorisë, më këto veprime i pandehuri S.M., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë”, ka njoftuar Prokuroria në Gjakovë.
Në lidhje me këtë rast, në ditën kur ka ndodhur ngjarja, detaje ka dhënë edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
“Rreth orës 12:10, është pranuar një informacion lidhur me një sulm me armë zjarri në drejtim të një autobusi në fshatin Pagarushë të Malishevës, me ç’rast njësitë përkatëse policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas saj, si rezultat i veprimeve hetimore, personi i dyshuar është identifikuar dhe arrestuar, ndërsa është sekuestruar edhe një armë e llojit AK-47.
“Si rezultat, personi i dyshuar është arrestuar dhe, në koordinim me prokurorin e shtetit, është ndaluar për 48 orë, si dhe është sekuestruar një armë e llojit AK-47”, tha Krasniqi.
Ajo bëri të ditur se nga ky incident nuk është raportuar për persona të lënduar.
“Nga ky incident nuk ka persona të lënduar, ndërsa rasti është iniciuar si ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe aktualisht është në proces të hetimit”, shtoi zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës. /Lajmi.net/