Ngritën çmimet e materialeve hidro-sanitare në Kosovë

Në vendin tonë janë ngritur çmimet e materialeve hidro-sanitare dhe atyre elektrike. Ndërsa ka rënie të çmime te materialet ndërtimore.

Lajme

19/06/2015 17:26

Përkundër këtyre, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë është i pandryshueshëm në tremujorin e parë të këtij vitit, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2014.

Ngritje e çmimeve për 2.4% ishte te materialet hidro-sanitare, me një ndikim prej 0.2 për qind; te materialet elektrike, çmimet u ngritën për 1.1%, me një ndikim prej 0.1 për qind; dhe kostot e tjera për 0.1%, pa ndonjë ndikim në IKN.

Ngritja e çmimeve u neutralizua me rënien e çmimeve të materialeve ndërtimore për -0.3%, me një ndikim prej -0.2 për qind në IKN.

Gjithashtu, edhe duke krahasuar TM1 2015 me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2014), IKN është e pandryshuar.

Përkundër mosndryshimit të Indeksit të tërësishëm të Kostos së Ndërtimit (IKN) në Kosovë u vërejtën ndryshime të çmimeve të disa kategorive, si: Ngritje e çmimeve për 11.7% ishte te energjia, me një ndikim prej 0.2 për qind; te makineria, çmimet u ngritën për 3.9%, me një ndikim prej 0.3 për qind; te materialet hidro-sanitare për 2.4%, me një ndikim prej 0.1 për qind; te materialet elektrike, çmimet u ngritën për 1.0%, me një ndikim prej 0.1 për qind; dhe pagat për 0.2%, pa ndonjë ndikim në IKN.

Ngritja e çmimeve u neutralizua me rënien e çmimeve të materialeve ndërtimore për -1.0%, me një ndikim prej -0.8 për qind, si dhe kostot e tjera me -0.4%, pa ndonjë ndikim në IKN.