Ngrihet flamuri i BE në godinën e Kryeministrisë, Rama: Simbolizon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel
Mëngjesin e sotëm, në orën 08:30, në godinën e Kryeministrisë u ngrit flamuri i Bashkimit Europian. I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama deklaroi se “ngritja e këtij flamuri shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel”. “Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënies së shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me…

Lajme
Mëngjesin e sotëm, në orën 08:30, në godinën e Kryeministrisë u ngrit flamuri i Bashkimit Europian.
I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama deklaroi se “ngritja e këtij flamuri shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel”.
“Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënies së shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me standardet europiane”, theksoi Rama.
Kryeministri pati edhe disa fjalë për opozitën:
“Kërkohet dhe një nivel i ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Mirëpo, sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh, mes një pjese të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe logjikën e marrëdhënieve të BE-së me Shqipërinë; dhe një pjese tjetër që ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë. Kështu që, hë për hë, do të bëjmë siç kemi bërë gjithmonë”, tha Rama.
“Unë e di se mes përfaqësuesve të vendeve mike dhe aleatë ka disa që i gëzohen kësaj arritjeje historike më shumë se disa syrre mes nesh që nxijnë si shpirti i tyre. Dua jo vetëm t’i falënderoj sot për gjithçka bënë që negociata të hapen dhe Shqipëria të ngjitet në rrugën drejt majës ku populli shqiptar meritor, dua edhe t’i kërkoj ndjesë për gjithçka që i kanë dëgjuar veshët nga gojët e shthurura të Shqipërisë”, shtoi ai.